Pas letrës drejtuar zyrtarëve ndërkombëtarë dhe kreut shtetëror të Shqipërisë e Kosovës, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, po me letër i është drejtuar edhe kryeministrit Hristijan Mickoski. Opozitari Ahmeti, duke ia sqaruar Mickoskit kontekstin gjeopolitik të ngjarjeve në Ukrainë, ndikimin e Kinës, apo ngjarjet në Ballkan si në Bosnjë ashtu edhe në Kosovë dhe Serbi, thekson që periudha është jashtëzakonisht e ndjeshme për vendin dhe se çdo prishje e re e marrëdhënieve ndëretnike, do të kishte pasoja serioze për kohezionin e brendshëm. Duke ia numëruar shqetësimet për çështjen e balancuesit dhe ligjit të gjuhëve, Ahmeti e fton Mickoskin të reflektojë.
“Ju bëj thirrje të reflektoni me maturi dhe përgjegjësi për këto vendime që kanë potencial të dëmtojnë kohezionin shumëetnik në Maqedoninë e Veriut. E ardhmja e vendit tonë duhet të ndërtohet mbi bazën e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë, e jo mbi ndarje. Çdo hap që prish këto themele është i dëmshëm për të ardhmen e vendit tonë dhe për të gjithë qytetarët e tij, pa dallim etnie”, thuhet në letrën e Ali Ahmetit drejtuar Hristijan Mickoskit.
Megjithatë, kryeministri Mickoski tha se ende nuk e ka pranuar letrën e siç e quajti, qytetarit Ali Ahmeti. I pari i ekzekutivit, tha se pasi ta lexojë me vëmendje, do ta komentoj.
“Jo jo, nuk e kam parë. Nuk e kam parë, përndryshe unë marr në ditë shumë letra dhe i lexoj ato letra. Marr shumë porosi dhe kështu me vëmendje të madhe i qasem komunikimit me qytetarët. Zotëri Ahmeti është qytetar dhe patjetër t’i kushtohet vëmendje çdo letrës së çdo qytetarit që vjen. Normalisht, ashtu vepron qeveria e përgjegjshme, siç tha zëvendëskryeministri Mexhiti, ne nuk luajmë futboll, ne punojmë dhe jemi të përgjegjshëm”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ahmeti drejt faktorit ndërkombëtar dhe të brendshëm, dërgon letra në periudhën kur BDI ka nisur fushatën takimesh me qytetarët në të cilat artikulon akuza kundër pushtetit. /Alsat.mk