Sonte, në emisionin “Cick Plus”, mysafir do të jetë kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Intervista do të transmetohet në orën 21:30. Duke i komentuar marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, kreu opozitar tha se Maqedonia po ballafaqohet me agresion politik nga ana e Bullgarisë. Sipas Mickoskit, në Bullgari ka forca dhe ndikime të cilat punojnë që Ballkani të mbetet një “vrimë e zezë” në kontinentin evropian.
“Logjika është e tillë se atje ka forca që në vazhdimësi shpikin tema me qëllim që kjo pjesë e Ballkanit të mbetet vrimë e zezë në kontinentin evropian, e jo të jetë e integruar atje ku e ka vendin e saj, e kjo është në BE. Do të përsëris, nëse Ukrainës po i ndodh agresion me tanke, Maqedonisë po i ndodh agresion politik nga Lindja, për shkak se ne jemi sulmuar me pozicione dhe kërkesa të shpikura, dhe në këtë mënyrë fqinji ynë lindor e abuzon pozitën e tij në BE-në që të mos lejojë që rajoni të përparojë dhe më në fund të realizohet ideja e De Gasperit, Shumanit dhe Adenauerit, Evropë e bashkuar dhe e zhvilluar në mënyrë të barabartë gjithkund”, tha Mickoski.