17 Tetor 2018 / 14:52
Maqedonia radhitet në vendin e 84 në Raportin e Konkurrencës Globale i hartuar nga Forumi Ekonomik Botëror. Vendi vlerësohet në mënyrë negative në thuajse të gjitha fushat, por gjendja më kritike paraqitet me gjyqësorin, krimin dhe korrupsionin, mungesën e kapaciteteve institucionale, infrastrukturën e keqe, arsimin jo cilësor dhe mungesa e kuadrit profesional.
Në pjesën e institucioneve qëndrojmë shumë keq, gjë që dihet. Në gjyqësor qëndrojmë shumë keq në vendin e 130, pastaj tek efikasiteti që organet gjyqësore në mënyrë të drejtë t’i zbatojnë ligjet, po ashtu krimi i organizuar ende është një nga pikat e dobëta dhe realisht nëse merret parasysh këto janë edhe problemet kryesore të bashkësisë së biznesit. Në pjesën tek shëndetësia jemi më keq se të gjithë.” – theksoi Drilon Iseni, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore
Në bazë të raportit i cili përfshin 140 shtete, vendi rangohet diku në mes ose vendi i parafundit në rajonin e Evropës dhe Amerikës Veriore. Nga oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë gjithashtu se krizat e shumta politike kanë ndikuar që biznesmenët të druajnë të investojnë në vend. Raporti është hartuar në bazë të 12 kritereve: produktivitetit, institucioneve, infrastrukturës, stabilitetit makroekonomik, shëndetësisë, arsimit, gatishmërisë teknologjike, tregut të punës, sistemit financiar, madhësisë së tregut, dinamikës së biznesit dhe inovacionit. Kualifikim më të mirë në Raportin e forumit ekonomik botëror për konkurrencë globale për vitin 2018, kanë SHBA-ja, Singapori dhe Gjermania.
Valmira Zendeli


