Kryeministri Hristijan Mickoski, në podkastin “Ku janë paratë?”, pranoi se Maqedonia përballet me një sfidë të rëndë demografike, e cila në 20 deri në 25 vitet e ardhshme mund të krijojë një mungesë prej 150,000 deri në 250,000 banorësh.
Sipas tij, tabloja demografike e vendit mund të ndryshojë rrënjësisht në 15, 20 ose 25 vitet që vijnë. Mickoski vlerësoi se një pjesë e forcës punëtore do të vazhdojë të zhvendoset drejt Evropës Perëndimore, ndërsa boshllëqet që do të krijohen në ekonominë vendase do të duhet të plotësohen me punëtorë nga vendet e treta.
Të dhënat zyrtare e mbështesin këtë shqetësim. Zyra Shtetërore e Statistikave bëri të ditur se gjatë vitit 2024 kanë lindur të gjallë 16,061 fëmijë, ose 4 përqind më pak se një vit më parë. Po ashtu, në tremujorin e katërt të vitit 2024, shtesa natyrore ishte negative, në nivelin minus 1,206 persona, çka nënkupton se numri i vdekjeve e tejkaloi numrin e lindjeve të gjalla.
Edhe Banka Botërore e përshkruan Maqedoninë e Veriut si një shtet me popullsi që po plaket dhe po zvogëlohet, me një normë fertiliteti rreth 1.5 dhe me diasporë të vlerësuar në më shumë se 500,000 qytetarë. Pasojat e kësaj gjendjeje nuk kufizohen te statistikat, por prekin drejtpërdrejt tregun e punës, sistemin pensional, shëndetësinë, arsimin dhe jetën në komunitetet lokale.


