Ministrja në detyrë e drejtësisë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë kërkesë zyrtare për transferimin e pesë të dënuarëve të rastit të Kumanovës nga Maqedonia e Veriut në Kosovë.
Ajo përmes një letre zyrtare kohë më parë i ka kërkuar homologut të saj maqedonas që pesë të dënuarit të transferohen në burgjet e Kosovës, shkruan portali Paparaci .
Kërkesa nuk është aprovuar. Bëhet fjalë për pesë të dënuarit për terrorizëm në rastin ‘Kumanova’ të 9 majit të 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë: Muhamet Krasniqi, Bajram Elshani, Bek Bajra, Betim Kabashi dhe Demë Shehu. Por kjo kërkesë deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje pozitive dhe tentativa për realizim. Dokumenti i kërkesës është publikuar nga portali Paparaci në Kosovë.
ë letrën një faqe e gjysmë dhe me nënshkrimin e saj të 21 gusht të vitit 2024, Haxhiu i ishte drejtuar Filkovit me kërkesën për transferim të të dënuarve nga Institucionet Korrektuese të Maqedonisë së Veriut në ato të Kosovës.
Haxhiu në këtë letër i kishte shkruar Filkovit se pesë individë kishin dorëzuar kërkesat për transferim në institucionet korrektuese të Kosovës. Në mesin e tyre është edhe kunati i saj, Muhamet (Andi Krasniqi), i njohur me nofkën “Malisheva”.
Përveç Krasniqit, në listën për transferim ishin edhe Bajram Elshani, Bek Bajra, Betim Kabashi dhe Demë Shehu.
Andi Krasniqi në vitin 2017 ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Shkupit me burgim të përjetshëm.
Burgim të përjetshëm vuajnë edhe Bek Bajra nga Gjilani dhe Demë Shehu nga Deçani.
Ndërkaq, Bajram Elshani është i dënuar me 40 vjet burgim bashkë me Betim Kabashin nga Prizreni.
Haxhiu këtë letërkërkesë e kishte shkruar duke u bazuar në Marrëveshjen për Transferimin e Personave të Dënuar, të nënshkruar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut mbi transferimin e personave të dënuar, më 6 nëntor të vitit 2012.
“Nëpërmjet kësaj letre, unë shpreh gatishmërinë time që të pranoj të gjitha kërkesat nga qytetarët tanë që vuajnë dënimet në Republikën e Maqedonisë për transferimin në institucione korrektuese në Republikën e Kosovës në përputhje me Marrëveshjen e lartpërmendur”, kishte shkruar Haxhiu në letrën dërguar Filkovit më 21 gusht të vitit 2024.
Kërkesa për arsyet shëndetësore
Ani pse nuk ka përmendur emra, Haxhiu i kishte shkruar homologut të saj se kishte marrë rekomandime nga Ambasada e Kosovës në Shkup që të niste procedurat për transferimin e dy të burgosurve për arsye shëndetësore dhe humanitare për trajtim të mëtutjeshëm shëndetësor në Kosovë.
“Për më shumë, më lejoni të ju informojë se më 25.07.2024, ne kemi marrë një njoftim nga ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, me anë të së cilit, ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, rekomandon ministrinë e Drejtësisë në Kosovës që të nisë procedurat për transferimin e këtyre dy të burgosurve për arsye shëndetësore dhe humanitare për trajtim të mëtutjeshëm shëndetësor në Kosovë dhe të vuajnë dënimet e tyre në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen ndërshtetërore për vuajtjen e dënimeve për shtetasit respektivë të dy shteteve”, i kishte shkruar Haxhiu homologut të saj në Maqedoninë e Veriut.
Ajo i kishte shkruar Filovit se rehabilitimi i tyre do të ishte më i lehtë në Kosovë.
“Për këtë, unë me mirësi kërkoj nga ju që të ekzaminoni dokumentet e bashkëngjitura, të cilat, sipas njoftimit, janë dërguar në Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe bazuar në marrëveshjen e lartpërmendur, për të kërkuar nga autoritetet kompetente maqedonase që të shqyrtojnë kërkesën për transferim në Kosovë, ku rehabilitimi i tyre dhe rintegrimi do të ishin më të lehtë”, thuhet në letrën e Haxhiut drejtuar ministrit maqedonas të Drejtësisë.
“Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës dëshiron të sigurojë Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut se do të vazhdojë bashkëpunimin e afërt në lidhje me rastet për transferimin e personave të dënuar dhe shfrytëzon mundësinë që edhe një herë t’i shpreh konsideratën më të lartë Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhej në fund të letrës së Haxhiut.
Paparaci ka pyetur ministritë e Drejtësisë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut nëse është realizuar ky transferimi i pesë të dënuarve për rastin e Kumanovës, por as pas më shumë se dy javë pritjeje, ministritë e dy shteteve nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi të enjten më 10 korrik 2025.
Rasti i Kumanovës
Gjykata Themelore e Shkupit ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015.
Procesi i gjatë gjyqësor kishte filluar me aktakuzën e Prokurorisë së Maqedonisë së Veriut, në të cilën thuhej se në fillimjanar 2015, të akuzuarit Mirsad Nrecaj (i vrarë në konfliktin në Kumanovë), Beg Rizaj (I vrarë në konfliktin në Kumanovë), së bashku me të akuzuarit Andi Krasniqi me nofkën “Malisheva” dhe me emrin e mëparshëm Muhamet Krasniqi, Sami Ukshini, Demë Shehu, kishin krijuar grupin që synonte të vepronte në një periudhë të gjatë kohore.
Sipas Prokurorisë, qëllimi i grupit ishte kryerja e veprave penale si vrasje, lëndime trupore, shkatërrim i objekteve publike, objekteve infrastrukturore dhe objekte për përdorim të përgjithshëm, sulm ndaj stacioneve policore.
Ndërkaq, për veprën terrorizëm ishin akuzuar gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 u dënuan me burg të përjetshëm. Të dënuarit me burgim të përjetshëm janë: Andi Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra dhe Fejzulla Rushitovski.
Trembëdhjetë janë dënuar me nga 40 vjet burg: Esat Kafegjolli, Adrian Bujari, Shefqet Hallaqi, Betim Kabashi, Genti Sefaj, Enver Hoxha-Klajn , Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari dhe Fatmir Recica.
Gjashtë prej 37 të akuzuarve janë dënuar me nga 20 vjet burg.
Të dënuarit me nga 20 vjet burg janë: Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdija, Lendrit Rustemaj, Mirsad Qerimi dhe Qenan Hiseini.
Kurse të akuzuarit e tjerët janë dënuar me nga 18 vjet e më poshtë. Ragmi Latifi është dënuar me 18 vjet heqjen lirie, Irfan Lutfiu me 14 vjet, Arsim Bajrami me 13, Musa Pajaziti me 12, Seadudin Abdullahu 14, Elham Arifi me 13 dhe Ebib Alimi me 12 vjet burg.
Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës, të cilët edhe llogariten si organizatorë të ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
Gjykata Penale i ka liruar si të pafajshëm Ibrahim Murtezanin, Besnik Bajramin, Fazli Osmanin dhe Besnik Ajdinin.
Në përleshjet e armatosura që zgjatën dy ditë më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, janë vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.
Grupi kishte deklaruar se vendosja në Kumanovë ishte bërë për shkak të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni./Paparaci