Maqedonia e Veriut ka rënë për tre vende në Indeksin global të lirisë së mediave, të publikuar sot nga organizata ndërkombëtare “Reporterë pa Kufij” (RSF) me seli në Paris, përcjell TV21. Konkretisht, pasi vitin e kaluar ishte në vendin e 42-të, vendi në vlerësimin më të ri renditet në vendin e 45-të dhe ndodhet në grupin e shteteve ku gjendja e lirisë së mediave vlerësohet si “problematike”.
Rënie në tre nga pesë indikatorët
Sipas raportit, Maqedonia shënon rënie tre nga pesë indikatorët që përcaktojnë renditjen: konteksti politik, kushtet ekonomike, korniza ligjore, rrethanat shoqërore dhe siguria e gazetarëve.
Vendi ka një rezultat të përgjithshëm prej 69,77 pikësh indeksuese, krahasuar me 70,44 pikë vitin e kaluar, kur ishte në vendin e 42-të me vlerësim të përgjithshëm “të kënaqshëm”. Edhe ky vlerësim ishte më i ulët se ai i vitit 2024, kur Maqedonia ishte në vendin e 36-të.
Në listën e vendeve me gjendje “problematike” të mediave, Maqedonia është në pjesën e sipërme të renditjes, dhe përpara saj është vetëm Republika Domenikane në vendin e 44-të.
Krahasimi me rajonin
Nga vendet e Ballkanit, më mirë se Maqedonia renditen vetëm Sllovenia (36) dhe Mali i Zi (41).
Pas saj renditen Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Greqia dhe Serbia.
Serbia është më keq e renditur në rajon dhe shënon edhe rënien më të madhe, nga vendi 96 në vitin 2025 në vendin 104 në raportin më të ri.
Vlerësimi i përgjithshëm
Në vlerësimin e përgjithshëm për Maqedoninë, “Reporterët pa Kufij” theksojnë se, edhe pse gazetarët nuk punojnë në një mjedis armiqësor, dezinformimi i përhapur dhe mungesa e profesionalizmit kontribuojnë në uljen e besimit të publikut në media.
Kjo situatë, sipas raportit, i ekspozon mediat e pavarura ndaj kërcënimeve dhe sulmeve.
Gjithashtu theksohet se përfaqësuesit e qeverisë shpesh kanë një qëndrim të ashpër dhe nënçmues ndaj gazetarëve.
Raporti shton se televizioni mbetet burimi kryesor i informacionit në vend, por rol të rëndësishëm kanë edhe mediat online. Megjithatë, duhet bërë dallim mes redaksive profesionale online që punësojnë gazetarë dhe publikojnë përmbajtje origjinale, dhe portaleve individuale që publikojnë përmbajtje të kopjuar dhe të riprodhuar.


