Në një intervistë për “Euronews Bulgaria”, komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë Kushtetutën për të avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi se Shkupi ka nisur zbatimin e reformave të domosdoshme, por se faza zyrtare e hapjes së kapitujve mbetet e bllokuar deri në përmbushjen e këtij kushti.
“Sapo të miratohen ndryshimet kushtetuese, dhe pa vonesa apo kushte të tjera, do të mund të organizojmë Konferencën Ndërqeveritare,” tha Kos, duke e cilësuar hapin si vendimtar për përparimin e vendit drejt BE-së.
Komisionerja vuri në dukje se Maqedonia e Veriut përfiton tashmë nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ajo kujtoi se nga tetori vendi është pjesë e mekanizmit SEPA, gjë që u ka kursyer qytetarëve dhe bizneseve rreth 62 milionë euro. Kos përmendi gjithashtu marrëveshjen me Bullgarinë për Korridorin 8, e cila, sipas saj, do të forcojë lidhjet rajonale duke bashkuar Adriatikun me Detin e Zi.
“Ka lëvizje pozitive dhe vullnet për anëtarësim në BE,” tha Kos, duke nënvizuar se reformimi i Kushtetutës mbetet kushti kryesor për hapin e radhës në negociatat e anëtarësimit.


