Maqedonia e Veriut do ta vazhdojë komunikimin me Bullgarinë për të gjetur një zgjidhje në frymën e miqësisë, tha kryeministri Zoran Zaev. Sipas tij, është e rëndësishme se çfarë historie do të shkruajmë sot dhe çfarë brezat e rinj do të kujtojnë politikanët aktualë. Mbështetja për procesin vazhdoi të vijë nga Gjermania. Drejtoresha për Evropën Juglindore, Turqinë dhe vendet e EFTA në Ministrinë gjermane të Puëve të Jashtme, Suzan Shic, theksoi se bisedimet duhet të vazhdojnë vitin e ardhshëm, duke theksuar se çështjet bilaterale, veçanërisht ndryshimet historike, nuk kanë vend në procesin e zgjerimit.
Ajo thekson se afrimi i Ballkanit Perëndimor drejt BE-së është vendim i rëndësishëm strategjik për rajonin, por edhe për Unionin, dhe për atë kjo ishte një nga prioritetet e kryesimit të Gjermanisë me bllokun. Por, Shic shpreh zhgënjim për shkak të asaj që edhe krahas “punës me të vërtetë intensive”, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nuk arritën të gjejnë kompromis, por potencon se nuk guxon të harrohet se këtë vit vendi u bë anëtare e NATO-s.
“Në rastin me Maqedoninë e Veriut, për fat të keq, nuk është e mundur Bullgaria të bindet të japë pëlqim. Por, edhe Maqedonia e Veriut kishte linja të kuqe përmes të cilave nuk mund të kalohej. Tani bisedat duhet të vazhdojnë vitin e ardhshëm. Megjithatë, gjatë gjithë kohës e bëmë të qartë se çështjet bilaterale, veçanërisht dallimet historike, nuk kanë vend në procesin e zgjerimit. Për atë edhe ne u lutëm që çështjet të cilat kanë të bëjnë me historinë e përbashkët të diskutohen në Komisionin e historianëve të cilën e krijuan të dy shtetet në suaza të Marrëveshjes për miqësi. Përfundimisht, edhe Bullgaria dëshiron që Maqedonia e Veriut të mund të bashkëngjitet në BE”, potencoi Shic.
Kryeministri Zaev tha dje se bisedimet duhet të vazhdojnë në frymën e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe ndërtimit të marrëdhënieve më të mira.
Theksoi se qëllimi ka qenë me bullgarët të bëhemi vëllezër dhe hapat tonë ishin në këtë drejtim. “Shumë shpesh e kam përdorur narrativin tim për shkak të nevojës së sinqertë që të kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm, miqësi më të mirë e tjerë, se ne jemi vëllezër, duhet të ndërtojmë miqësi, por për një çast vendosën të na bëhen baballarë dhe këtu është problemi. Ashtu që duke tentuar të ndërtonim vëllazërim, për një çast vendosën miqtë tanë të na bëhen baballarë, deklaroi Zoran Zaev.




