Përgjatë një dekade (2007-2017), Maqedonia, Shqipëria dhe Malta janë të vetmet vende në të gjithë Europën që kanë pësuar rritje të normës së vdekshmërisë foshnjore. Në vitin 2017, në Maqedoni përllogariten 8 vdekje foshnjore në 1000 lindje të gjalla, ndërsa mesatarja në BE është 3.6 vdekje për 1000 lindje
Pas një rënie të vazhdueshme për dy dekada me radhë, vdekshmëria e foshnjave në Maqedoninë e Veriut megjithatë mbetet e lartë. Sipas përllogaritjeve të fundit të EUROSTAT-it, normën më të lartë në Europë e ka Turqia, me 8.5 vdekje foshnjore për 1000 lindje të gjalla, por shifër e cila ka pësuar përgjysmim nga 2007, me 16.2 vdekje/1000 lindje. Ndjek Maqedonia e Veriut me të njëjtën normë prej 8.5 vdekje/1000 lindje në 2017, sërish me rënie nga 2017 që ishte 10.2/1000 lindje. E treta në Europë, Shqipëria me 8 vdekje/1000 lindje, me rritje nga 2007.
Në ndërkohë, përgjatë një dekade (2007-2017), Maqedonia, Shqipëria dhe Malta janë të vetmet vende në të gjithë Europën që kanë pësuar rritje të normës së vdekshmërisë foshnjore. Në vitin 2017, në Maqedoni përllogariten 8 vdekje foshnjore në 1000 lindje të gjalla, ndërsa mesatarja në BE është 3.6 vdekje për 1000 lindje. Në të gjithë vendet e Bashkimit Europian është vënë re një përgjysmim të normës së vdekshmërisë foshnjore, ndërsa Maqedonia ka treguar rritje dhe herë-herë ulje të normës, raporton KOHA. Në vitin 2007 përllogariteshin 6 vdekje për 1000 lindje të gjalla. Rritja e këtij treguesi, sipas studimeve të vazhdueshme të institucioneve botërore si OKB, OBSH, e vendos Maqedoninë në një pozicion të pafavorshëm për zhvillimin e qëndrueshëm, nivelin e varfërisë dhe indeksin e zhvillimit njerëzor. Në 28 shtetet e Bashkimit Europian, në vitin 2017, rreth 18.200 fëmijë humbën jetën para se të arrinin vitin e parë. Kjo ishte ekuivalente me një vdekshmëri të foshnjave prej 3.6 vdekje për 1000 lindje të gjalla, raporton EUROSTAT.
“Gjatë 10 viteve 2007-2017, shkalla e vdekshmërisë foshnjore në BE ra nga 4.4 vdekje për 1000 lindje të gjalla deri në 3.6 vdekje për 1000 lindje të gjalla, duke zgjeruar analizën në 20 vitet e fundit, shkalla e vdekshmërisë foshnjore ishte pothuajse e përgjysmuar (6.8 vdekje për 1.000 në vitin 1997)”, thuhet në Raportin e Agjencisë europiane për statistikë. Ndryshe, në vitin 2017, normat më të larta të vdekshmërisë së foshnjave në BE u regjistruan edhe në Maltë dhe Rumani (6.7 vdekje për 1000 lindje të gjalla) dhe Bullgari (6.4 vdekje), ndërsa më të ulëtat në Qipro (1.3 vdekje) dhe Finlanda (2.0 vdekje).