Maqedonia dhe Greqia kanë realizuar mbi 31.5 milion euro nga Fondet IPA të Bashkimit Evropian për bashkëpunim ndërkufitar, gjatë viteve 2007-2013. 85% e mjeteve u siguruan nga BE, ndërsa 15% nga fondet kombëtare të Maqedonisë dhe Greqisë. Projektet e realizuara nga të dy palët, u prezantuan sot në konferencë përmbyllëse të organizuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shkup. Nga 31.5 milion eurot, rreth 11.5 milion ishin në dispozicion për Maqedoninë. Sipas Ministres së Vetëqeverisjes Lokale, Shirete Elezi, në këtë periudhë programore janë realizuar 57 projekte. Ajo tha se bashkëpunimi ndërkufitar përmes këtij programi, mundësoi miqësi të reja si në jetën private, ashtu edhe në planin afarist.
“Rezultatet nga zbatimi i projekteve tregojnë se qytetarët dhe institucionet në rajonet ndërkufitare, jo vetëm që kanë nevojë për bashkëpunim dhe bashkëjetesë, por ata treguan vetëdije të lartë dhe dëshirë të ndërsjellë për të realizuar aktivitete të përbashkëta që do të kenë edhe rezultate të përbashkëta”, ka deklaruar Shiret Elezi, ministre e Vetëqeverisjes Lokale.
Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, deklaroi se bashkëpunimi ndërkufitar mes vendeve të Ballkanit është thelbi i procesit të integrimit evropian, si dhe kontribuon në prosperitetin ekonomik dhe stabilitetin politik në rajon.
“Bashkëpunimi ndërkufitar është një pasurim i të ardhmes, edhe atë jo vetëm në aspektin e mirëkuptimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, por edhe në çështje tjera të dukshme, si shërbimet dhe infrastruktura. Bëhet fjalë për një sinergji që asnjë vend nuk mund të arrijë i vetëm”, deklaroi Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së.
Ndërsa përfaqësues i Trupit Drejtues të Programit ndërkufitar IPA në Selanik të Greqisë, Alexandros Samaras, theksoi se në periudhën e parë programore përfaq[suesit e dy vendeve mësuan shumë gjëra. Ai potencoi se periudha e dytë programore do të jetë edhe më e suksesshme dhe plotësuese e periudhës së parë.
“Bashkërisht ne duhet të përpiqemi që t’i përfshijmë në këto projekte të gjithë aktorët e nevojshëm dhe vendimmarrësit, aq sa komunitetet lokale. Ne duhet të mendojmë me kujdes se si t’i përfshijmë ata dhe t’u tregojmë se sa janë të dobishme këto projekte për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës programore”, tha Aleksandros Samaras, përfaqësues i Trupit Drejtues në Selanik
Në këtë konferencë përmbyllëse, u prezantuan edhe pritjet për periudhën e dytë programore për bashkëpunim ndërkufitar mes dy vendeve në periudhën 2014-2020, për të cilën janë paraparë mjete financiare prej rreth 40 milion euro. Në rajonin kufitar nga ana e Maqedonisë marrin pjesë rajoni i Pelagonisë, Vardarit, pjesa Juglindore e vendit dhe ajo Jug-perëndimore, ndërsa nga ana e Greqisë marrin pjesë Lerini, Pela, Seresi dhe Selaniku.