Gjykata e Lartë ka reaguar pas akuzave të bëra nga ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, i cili është shprehur se është manipuluar shorti në GjL, në mënyrë që ai të mos merret me politikë dhe fushatë elektorale.
Përmes një njoftimi publik, Gjykata e Lartë shprehet se shorti elektronik është ai që përcakton një gjyqtar relator për çdo çështje, e për rastin e Salianjit është përcaktuar Albana Boksi.
Më pas çështja është kaluar për shqyrtim tek gjyqtari Sokol Binaj, pas rekursit të bërë.
“Bazuar në Urdhrin nr. 106, datë 15.05.2023 të Kancelarit të Gjykatës së Lartë “Për disa masa organizative lidhur me menaxhimin e çështjeve gjyqësore”, është e detyrueshme që “kur për shqyrtimin e kërkesës për pezullimin e ekzekutimit të vendimit civil/administrativ/penal të regjistruar më parë dhe për shqyrtimin e rekursit të regjistruar më vonë, janë caktuar dy gjyqtarë relatorë të ndryshëm nga sistemi ICMIS, çështja gjyqësore të kalojë në emër të gjyqtarit të caktuar për shqyrtimin e pezullimit të ekzekutimit të vendimit civil/administrative/penal”.
Referuar këtij urdhri dhe për të respektuar përputhshmërinë me praktikën që është ndjekur në të gjitha rastet e kësaj natyre, është kryer kalimi i çështjes për shqyrtimin e rekursit tek gjyqtari Sokol Binaj, i cili është gjyqtari që ka shqyrtuar më parë kërkesën për pezullim të ekzekutimit të vendimit, e regjistruar me numrin 77303-00022-00-2024, datë 01.10.2024.”, shkruan Gjykata e Lartë.
Institucioni sqaron se ky veprim bëhet nga sistemi elektronik për të garantuar një menaxhim më të mirë të çështjeve gjyqësore, për transparencë dhe efikasitet në administrimin e drejtësisë.
Kujtojmë se sot Ervin Salianji reagoi duke akuzuar Gjykatën e Lartë, teksa u shpreh “Jam i marrë peng nga një organizatë kriminale që interes ka të më mbajë larg zgjedhjeve dhe aktivitetit publik, pasi kam faktuar me qindra herë korrupsionin dhe lidhjet e qeverisë me krimin ashtu siç dhe i kam mundur në çdo përballje zgjedhore”
Reagim i Gjykatës së Lartë:
Në datën 08.01.2025, në Gjykatën e Lartë është regjistruar çështja penale me numrin 51180-00012-00-2025, e cila ka si palë kërkuese: Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe të pandehur: A.V., F.A., J.O., E.S., dhe G.(A.)Xh..
Përmes regjistrimit elektronik në Sistemin e Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS), që nuk administrohet nga Gjykata e Lartë, por nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, shorti cakton automatikisht një gjyqtar relator për çdo çështje të regjistruar. Për këtë çështje është caktuar nëpërmjet shortit elektronik si gjyqtar relator, anëtarja e Kolegjit Penal, Albana Boksi.
Bazuar në Urdhrin nr. 106, datë 15.05.2023 të Kancelarit të Gjykatës së Lartë “Për disa masa organizative lidhur me menaxhimin e çështjeve gjyqësore”, është e detyrueshme që “kur për shqyrtimin e kërkesës për pezullimin e ekzekutimit të vendimit civil/administrativ/penal të regjistruar më parë dhe për shqyrtimin e rekursit të regjistruar më vonë, janë caktuar dy gjyqtarë relatorë të ndryshëm nga sistemi ICMIS, çështja gjyqësore të kalojë në emër të gjyqtarit të caktuar për shqyrtimin e pezullimit të ekzekutimit të vendimit civil/administrative/penal”.
Referuar këtij urdhri dhe për të respektuar përputhshmërinë me praktikën që është ndjekur në të gjitha rastet e kësaj natyre, është kryer kalimi i çështjes për shqyrtimin e rekursit tek gjyqtari Sokol Binaj, i cili është gjyqtari që ka shqyrtuar më parë kërkesën për pezullim të ekzekutimit të vendimit, e regjistruar me numrin 77303-00022-00-2024, datë 01.10.2024.
Mospërmbushja e një veprimi të tillë do të konsiderohej në kundërshtim me rregullat e vendosura për gjyqtarin natyral dhe me standardin e gjykatës së caktuar me ligj.
Ky veprim që kryet automatikisht nga sistemi elektronik, i cili garanton njëkohësisht edhe për integritetin e tij, ka për qëllim të sigurojë një menaxhim më të mirë dhe më të shpejtë të çështjeve gjyqësore, si dhe transparencë dhe efikasitet në administrimin e drejtësisë.