Edhe pse konsiderohej si njeri i sinqertë, zv/ministri i arsimit Visar Ganiu ka nisur të manipulojë opinionin sapo ka marrë poste të larta në këtë parti. Kështu akuzojnë profesorë nga Universiteti i Tetovës, të cilët demaskojnë paraqitjet e tij lidhur me projekte në UT, për të cilat thonë se nuk janë aspak meritë as e MASH-it, e as e Ganiut.
“Opinioni ka nevojë për sqarime lidhur me 2 çështjet e promovuara nga zv ministri për arsim. E para, granti i fituar nga UT në vlerë prej 250 mijë euro është fituar nga Agjencia për mobilitet në bazë të konkurrimit që ka bërë UT-ja për fondet që i ndan Bashkimi Evropian e jo Ministria e arsimit.
E dyta, tenderi për konviktin është premtuar në vitin 2010, ndërsa në vitin 2011 tenderi i shpallur nga MASH për konviktin në bashkëpunim publik-privat dështoi së realizuari. Mjetet prej 3 milion eurove janë ndarë dhe promovuar në shtator të vitit 2015 nga ish ministri i MASH, gjë që në shkurt të vitit 2016 tenderi për konviktin është mbyllur dhe firma fituese e ka nënshkruar kontratën me Ministrinë.
Ministria ka bërë kërkesë për leje për ndërtim nga Ministria për transport dhe lidhje, dhe këtë leje ende nuk e ka fituar MASH, prandaj dhe fillimet e punëve nuk kanë nisur”, kanë sqaruar disa profesorë të UT-së, duke reaguar ndaj paraqitjeve të zv/ministrit Ganiu, i cili është caktuar edhe kandidat i BDI-së për kryetar në komunën e Çairit. /tetova1

