26 June
Edhe katër ditë i kanë ngelur Prokurorisë Speciale Publike për të ngritur akuza për hetimet e përfunduara. Afati prej 18 muajsh për këtë përfundon të premten. Jozyrtarisht, rreth 15 hetime duhet të përfundojnë me aktakuza dhe në mes të akuzuarve do ishin zyrtarë të lartë të partisë VMRO-DPMNE, si dhe ish-ministra në qeverinë e Nikolla Gruevskit. Por sot, vetëm disa ditë para skadimit të afatit, nga partia në pushtet nuk kishin qëndrim nëse ka vullnet politik për tu vazhduar mandati i PSP-së. Nga LSDM për Alsat shkurt informuan se për këtë javë nuk është në plan në Kuvend të diskutohet për këtë. Heshtje në BDI, ndërsa qëndrimi i VMRO-DPMNE-së, për këtë çështje tashmë është i njohur. Nga Partia e Gruevskit nuk do të mbështesin asnjë iniciativë që prokurorët special të marrin më shumë kohë për të ngritur akuza. Disa prej juristëve në vend, atë e konsiderojnë si një parakusht për përfundimin e tërësishëm të hetimeve.
Të gjithë liderët të cilët ndjehen të pafajshëm, ose nuk kanë bërë asgjë me ndonjë krim që i kemi dëgjuar në ‘bombat’, ata do të nënshkruhen dhe ligjvënësit do ta votojnë ligjin siç duhet të jetë – dhe të votojnë përveç këtij ligji edhe ligjin për dëshmitarët e mbrojtur që të mundet Specialja të punojë dhe të fillojë të japë rezultate, për atë qëllim që ishte themeluar- tha avokati Jovan Joanidis.
Një nga opsionet që PSP-së ti zgjatet afati për akuzat është që nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese të shfuqizohet neni 22 për PSP-në, me të cilin kësaj prokurorie i kufizohet afati i ngritjes së akuzave. Por, deri më tani asnjë gjyqtar kushtetues nuk ka ngritur iniciativë me të cilën do të vlerësohej kushtetutshmëria e këtij neni. Një rast tjetër është që ligjërisht të intervenohet nëpërmjet Parlamentit, por kjo është pothuajse e pamundur për shkak se do të duhen 2/3 e votave. Ndryshe, në pritje për cilat raste do të ngrihen akuza, Janeva me gjasa nuk do të ngre akuza për financimin e VMRO-DPMNE-së, apo për rastin e njohur si Talir. Jozyrtarisht, arsyeja për këtë është se disa nga të dyshuarit, duke përfshirë Gruevskin, nuk janë përgjigjur në ftesat për të ardhur në PSP.
Alsat

