Kryetarja e Këshillit të Legjislacionit Dhurata Çupi ka paraqitur raportin e PD sa i takon debateve për mandatin e deputetes së PS, Olta Xhaçka.
Në draft raport thuhet se Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.
Sipas Partisë Demokratike, “Kuvendi ka detyrimin që të votojë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese, si mënyra e vetme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e vetme e zgjidhjes së këtij konflikti kompetencash”.
Po ashtu, Çupi tha se Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.
“Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, pasi nuk është në pozitat e interpretuesit të parë dhe origjinal të tyre, për sa kohë që për çështjen konkrete është shprehur Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimmarrjen e saj ka konstatuar se mocioni i jo më pak se 1/10-ës së deputetëve plotëson kriteret juridiko-formale për vënien e saj në lëvizje nga Kuvendi, ndaj ky i fundit nuk ka pasur hapësirë për të vlerësuar sërish ato”.