Alsat 2019-12-28T16:12:22+01:00
Njohësit e çështjeve politike kritikojnë Mini-Shengenin Ballkanik. Profesori, Nazmi Maliqi përjashton zërat se nisma është nxitur nga Bashkimi Evropian apo Rusia, duke theksuar se është projekt i papërpunuar dhe i nxituar i liderëve lokal me qëllim që të defokusojnë opinionin nga situatat e brendshme. Maliqi vlerëson se nëse Mini-Shengeni Ballkanik do të bazohej në shembullin e Shengenit evropian, do të duhej të fillonte me zgjidhjen e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë, por e këtillë siç është kjo nismë rajonale nuk ka asnjë kuptim.
Zhurmë e madhe u bë për shkëmbimin e territoreve, që ishte një projekt i çuditshëm dhe atëherë ishte shumë diskutabil. Po edhe ky është një projekt gati i ngjashëm, sepse nuk mund të bisedohet mes Kosovës dhe Serbisë, për një standard bashkëpunimi ndërkufitar, në kuadër të Mini-Shengenit pa u biseduar pikat e pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve për krijimin e ndërfqinjësisë së qëllimtë- deklaroi Nazmi Maliqi, Profesor universitar.
Maliqi madje vlerëson se nuk kishte aspak nevojë për Mini-Shengenin Ballkanik, përderisa qysh në vitin 2002 të gjitha shtetet e rajonit e kanë nënshkruar Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, me të cilën shtetet janë dakorduar për kufij të hapur por shumë të kontrolluar, gjë që është edhe standard evropian.
Mini Shengeni më duket më shumë se ka një porosi të aktrimit sesa që ka një fundament. Jam i befasuar që aspak nuk po citohet Marrëveshja për Menaxhimin e integruar të Kufijve, që do të kishte një lidhshmëri për një Shengen Ballkanik. Pikërisht Menaxhimi i Integruar i Kufijve është një Shengen Ballkanik, jo Mini-Shengen por një Shengen Ballkanik, që përcjell porosi shumë të mira për kontrollin e kufijve, për përcjelljen e mallrave, ideve, kapitalit- tha Nazmi Maliqi, Profesor universitar.
Mini-Shengeni Ballkanik u jetësua pas vendimit negativ të BE-së në tetor për mos-fillim të negociatave për anëtarësim me vendet kandidate nga rajoni. Liderët e Kosovës nuk morën pjesë në asnjërin nga tre takimet, derisa vetëm herë pas here kyçeshin ato të Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi. Së fundmi, BE-ja premtoi 1,2 miljard euro për projekte që dalin nga nisma.
Anesa Salihu
Loading…




