Mali i Zi është bërë këtë të hënë anëtari i ri i NATO-s, duke nënshkruar aderimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut në selinë e Departamentit amerikan të Shtetit, në Uashington.
Në ceremoninë e rastit mori pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili nënvizoi se hyrja e Malit të Zi në Aleancë i kontribuon paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
“Ky anëtarësim është një mesazh i fortë se dyert e NATO-s mbeten të hapura për të gjithë”, tha Stoltenberg.
Ceremonia u ndoq nga kryeministri malazez Dusko Markoviq dhe ministri i Jashtëm, Srgjan Darmanoviq, ndërsa u organizua nga nënsekretari i SHBA-së për Çështjet Politike, Thomas Shanon.
“Sot Mali i Zi i bashkohet NATO-s, duke pasur në këtë organizatë ulësen e tij si shtet i barabartë dhe që me zërin e tij do të ndihmojë për t’i dhënë formë Aleancës”, tha Stoltenberg.
Ai nënvizoi se NATO do të ketë përfitime nga anëtarësimi i këtij vendi dhe natyrisht vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor që bëjnë pjesë në të.
Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare firmosën Protokollin e Anëtarësimit në maj të vitit 2016, pasi parlamentet përkatëse kishin ratifikuar më herët aderimin e Malit të Zi.