Alsat 2019-12-22T16:05:45+01:00
Derisa qytetarët dhe organizatat joqeveritare protestojnë kundër ndotjes së ajrit, nga qeveria lavdërohen se rezultatet nga masat e ndërmarra janë të dukshme kur bëhet fjalë për ajrin e ndotur. Zv ministri I Ekologjisë, Jani Makraduli tha se është ulur jashtëzakonisht numri i ditëve me ajër të ndotur mbi shkallën e lejuar nëse e njëjta krahasohet me vitet paraprake. Madje, sipas Makradulit vendosja e ngrohjes ekologjike në objektet e çerdheve dhe shkollave do të ndikojë edhe më shumë në uljen e ndotjes.
Numri i ditëve me ndotje mbi shkallën e lejuar, në Komunën e Qendër nga 64 dhe 63 gjatë vitit 2015 dhe 2016, këtë vit është 31. Në Karposh, nga 55, 64, 54, numri i ditëve të ndotura mbi kufirin e lejuar është 24. Qytetarët, posaçërisht të rinjtë përdorin mjete transportuese që nuk ndotin, selektojnë mbeturinat por ka edhe shumë raste që bindin prindërit e tyre të mos ngrohen më me dru. Jemi dëshmitar të kontrolleve të rrepta nga institucionet përgjegjëse. Për herë të parë kapen personat që djegin kabllo ose kallame dhe ndaj tyre janë ngritur kallëzime të duhura”-tha Jani Makraduli, zv/ministër.
Por nga opozita thotë gjendja momentale në vend është për tu shqetësuar. Për këtë qëllim, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka dorëzuar në Kuvend informacion për ndotjen enorme të ajrit, dhe i kërkuar nga kreut të Kuvendit Talat Xhaferi që të njëjtin informacion ta vendos në rend dite të seancës të ditës së hënë.
Kërkojmë që të vendoset si pikë e parë rendit të ditës të seancës së nesërme plenare. Ajri në qytetin e Shkupit dhe në disa qytete të Maqedonisë tashmë me dekada është i ndotur dhe jo kualitativ. Është koha e fundit që të tërhiqemi nga kornizat partiake dhe bashkërisht, e ftojmë edhe pozitën të sjellim vendime përfundimtare të cilat do të jenë të detyrueshme për të gjitha institucionet shtetërore dhe përfundimisht të fillojmë ta zgjidhim problemin me ajrin e ndotur”-pohoi Dragan Danev, VMRO-DPMNE.
Organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e ambientit dhe qytetarët janë të pakënaqur nga masat e qeverisë kundër ndotjes së ajrit. Pas protestave të së premtes në Shkup, nga sektori civil thonë se zëri i tyre kundër gjendjes së rëndë nuk do të ndalet, masat do të jenë nga më të ndryshmet me qëllim ndërgjegjësimin e institucioneve për masa efikase. Më shumë se 35 organizata që kohë më parë u bashkuan në të ashtuquajturin “Fronti i gjelbër” thonë se edhe pse pushteti i pranoi kërkesat e tyre si pjesë e luftës kundër ndotjes, ka plotësuar vetëm se një pjesë të vogël.
Melihate Rustemi
Loading…




