Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën paqësore që do të mbahet nesër para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, në shenjë solidariteti me studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe për mbrojtjen e të drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe.
Përmes një njoftimi publik, Lushtaku ftoi qytetarët që të premten, më 5 qershor, në ora 14:00, të bashkohen para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë për të mbështetur kërkesat e studentëve shqiptarë, të cilët prej javësh po kërkojnë respektimin e të drejtave gjuhësore.
“Një popull. Një gjuhë. Një dinjitet. Gjuha shqipe është e drejtë, jo privilegj”, thuhet në mesazhin e shpërndarë nga deputeti i PDK-së.
Ai theksoi se protesta do të jetë paqësore dhe ka për qëllim të dërgojë një mesazh solidariteti me studentët nga Maqedonia e Veriut, të cilët po kërkojnë zbatimin e të drejtave të garantuara për përdorimin e gjuhës shqipe.
“Sot zëri ynë, nesër e drejta jonë”, është mesazhi me të cilin Lushtaku ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në tubimin e nesërm në Prishtinë.



