Alsat 2019-10-15T13:05:04+02:00
Është duke vazhduar në Luksemburg takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare ku në rend dite është edhe debati për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Vëmendja është përqendruar e gjitha te qëndrimi i Francës e cila është ndër të paktat vende që ka dhënë sinjale se mund të kundërshtojë fillimin e negociatave. Diplomatja franceze para fillimit të takimit deklaroi se vendi i saj nuk planifikon të vendosë veto.
“Unë nuk jam sot këtu për të vendosur veto. Do të kemi një shkëmbim mendimesh për faktin që Evropa duhet të përgatitet për rishikimin e tërësishëm të procesit të negociatave. Franca mbështet reformat të cilat prej disa muajsh janë zbatuar si parakusht për çeljen e negociatave dhe dua të riafirmoj qëndrimin se Franca konsideron se perspektiva e vendeve të Ballkanit perëndimor në tërësi është në Bashkimin Evropian. Nuk e kundërshtojmë këtë parim”, u shpreh ministrja e jashtme e Francës.
Parisi kërkon miratimin e një metodologjie të re për procesin e anëtarësimit përpara fillimit të negociatave me vende të tjera aspirante. Ndërkohë ministri i Jashtëm i Holandës deklaroi se vendi duhet të miratojë ligjin për prokurorinë publike.
“Të dy vendet kanë bërë shumë përpjekje. Sa i takon Maqedonisë së Veriut mendojmë se është edhe një hap i rëndësishëm për t’u marrë sa i takon ligjit për prokurorinë publike dhe nëse ky kusht plotësohet ne mendojmë se negociatat mund të fillojnë. Sa i takon Shqipërisë ne mendojmë se ka akoma punë për tu bërë dhe nuk janë akoma gati për të filluar negociatat”, deklaroi Stef Blok, ministër i Jashtëm i Holandës.
Në takimin e ambasadorëve një ditë më parë nuk u arrit një konkluzion i përbashkët për të ardhmen e të dyja vendeve.
Në tavolinë, siç njoftuan një ditë më parë burime nga qeveria, është edhe opsioni që negociatat të fillojnë dhe të zhvillohen paralelisht me përpilimin dhe miratimin e metodologjisë së re për anëtarësim. Ky është propozim i Finlandës e cila drejton me presidencën e BE-së si dhe Komisionit Evropian.
Fatlume Dervishi
Loading…




