Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka reaguar për situatën e krijuar në Fier, ku ndërprerjet e furnizimit me ujë janë shoqëruar tashmë edhe me mungesën e energjisë elektrike në disa zona.
Baçi denoncon pasojat e reshjeve të dendura, që sipas tij kanë lënë në kaos mbi 30 fshatra, duke shkaktuar dëme në pajisjet elektroshtepiake dhe në aktivitetet e bizneseve.
Ai ngre shqetësimin për mungesën e përgjegjësisë nga ana e kompanisë shtetërore të energjisë dhe kërkon që qytetarët të dëmshpërblehen për humbjet e shkaktuara nga ndërprerjet e menjëhershme dhe luhatjet e tensionit.
Reagimi
Fieri me ditë të tëra pa ujë, tashmë edhe pa energji elektrike!
Ndërprerje e menjëhershme e energjisë elektrike si pasojë e reshjeve të dendura në Libofshë, Seman, Kraps, Kafaraj, në zonën Qarr-Bishan, në Ballsh, në Arranitas dhe në mbi 30 fshatra të tjerë, të cilët ndodhen në kaos të plotë!
Dëme të konsiderueshme në pajisjet elektroshtepiake, dëme të mëdha në bizneset e këtyre zonave dhe askush nuk mban përgjegjësi!
Kur lidhim kontratat me OSHEE-në, abonentët janë korrektë me pagesat.
Në kontratë vendosen ato që duan përfaqësuesit e kompanisë. Qytetarët nuk dinë asgjë, thjesht nënshkruajnë.
A ka përgjegjësi për dëmet e shkaktuara nga ndërprerjet e menjëhershme?
Po nga ngritjet dhe uljet e tensionit, që çojnë në djegien dhe shkatërrimin e shumë pajisjeve?
Janë dëme të pallogaritshme, shumë të mëdha, për të cilat kompania shtetërore duhet të mbajë përgjegjësi dhe të dëmshpërblejë qytetarët.
Përveç dëmit psikologjik të shkaktuar nga ndërprerjet e menjëhershme dhe çrregullimit që krijohet në çdo shtëpi dhe biznes!



