Vlera e shportës minimale sindikale për muajin nëntor shënon 62,021 denarë informojnë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM). Krahasuar me vlerën shportës sindikale për muajin tetor, është vërejtur rritje për 772 denarë. Nga LSM theksojnë se vlera e shportës minimale për muajin nëntor, krahasuar me atë të janarit e cila shënonte 57,163 denarë, është rritur për 4858 denarë, gjegjësisht për 8,5%.
Këtë rritje në fakt e ndjejnë edhe vet qytetarët. Thonë se mezi i’a dalin deri në fund të muajit, me të ardhurat që kanë.
“Jeta është e vështirë kështu. Nuk mundet kështu shumë të rriten. Ka njerëz që jetojnë me 12,000 denarë të ardhura dhe mezi presin t’i marrin. Gjithçka është e mundur. Vitin e ri kush ka do ta festojë, kush nuk ka do të qëndrojë në shtëpi”, u shpreh një qytetare.
“Pensionin, 150 euro e marr unë. Çka të më dalin mua, asgjë s’më dalin por çfarë të bëjmë. Ashtu vjen jeta, shumë shtrenjtësi e madhe. Unë në Itali kam qenë tre muaj. Në Itali janë shumë më lirë se këtu. Shumë kanë hipë këtu, për së tepërmi kanë hipur çmimet. Rrogat nuk po i hipin. Rrogat i hipin 2000 denarë dhe pensionet, ndërsa çmimet dyfish janë shtrenjtuar”, tha një qytetar.
“Shumë është vështirë për një popull që nuk punon. Për popull që punon dhe ka të ardhura më të mëdha, mund të jetojnë. 90% punojnë privat, me paga minimale. Është shumë vështirë”, u shpreh një tjetër qytetar.
Siç thuhet në komunikatën e LSM-së, tregtarët nuk kanë respekt as ndaj shoqërisë e as ndaj qeverisë, marrë parasysh se një ditë sapo përfundoi shporta vjeshtore, shporta sindikale u rrit për 609 denarë. Nga atje njoftojnë se janë në komunikim me Ministrinë e Ekonomisë për krijimin e masave të reja, por prapë se prapë, gjithçka varet nga vet tregtarët nëse janë të gatshëm të tregojnë përgjegjësi shoqërore. Në të kundërtën, gjatë krijimit të masave, qeveria duhet të jetë më rigoroze me praktikat tregtare jokorrekte dhe të shqiptojë dhe gjoba. /Alsat.mk