Lidhja socialdemokrate ka hedhur poshtë akuzat e BDI se deputetët e saj janë bërë pishman për rivotimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve. Deputeti i LSDM, Muhamed Zeqiri thotë se deputetët e tyre e kanë votuar dy herë ligjin për gjuhët, do ta votojnë për së treti herë sepse janë të bindur se ai është konform Kushtetutës, por ata nuk mbështesin shkeljen e rregullores së Kuvendit duke anashkaluar amandamentet e VMRO-DPMNE-së. Ai thekson se kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi nuk duhet ta vejë në rend dite ligjin për gjuhët para se grupet parlamentare të merren vesh për mënyrën se si do procedohet ligji.
“Votimi i ligjit në mënyrën e planifikuar nga Xhaferi është shkelje e rregullores dhe pikërisht kundër kësaj janë deputetët e LSDM-së dhe qëndrimi i tyre nuk ka të bëjë aspak me “Pishmanllëk”, deklaroi deputeti i LSDM, Muhamed Zeqiri, në një intervistë për Almakos.
Sipas tij, votimi i ligjit duke anashkaluar amandamentet e VMRO-DPMNE do të hapë shtegun që Gjykata kushtetuese të shfuqizoi atë për shkak të mosrespektimit të procedurës në Kuvend.
“Deputetët e LSDM-së dhe shumicës parlamentare nuk kanë dilemë mbi Ligjin e gjuhëve. Është votuar dy herë, do të votohet edhe herën e tretë. Aryeja pse dje nuk është mbajtur seancë është nevoja për koordinim plotësues, për atë se si do të veprohet. Ajo për të cilën insiston gurpi parlamentar i LSDM-së është të respektohen procedurat dhe rregullorja e parlamentit dhe s’ka asgjë dramatike në lidhje me këtë çështje”, sqaron Zeqiri.
Pëkundër rezervave të LSDM, zëvendës kryeministri për Çështje Europiane nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani, thotë se procesi për miratimin e ligjit për gjuhët është në fazë të pakthyeshme dhe kjo do të ndodhë brenda pak ditësh.
“Procesi është në fazë të pakthyeshme. Është çështje e koordinimit final të varianteve se në çfarë forme dhe si do të miratohet. Ata të cilët mendojnë të pengojnë rrugëtimin e vendit për shkak të agjendave partiake, mendoj se duhet të dalin në opinion dhe të prezantojnë publikisht këto qëndrime. Argumentet se nëse miratohet ligji ne do të pengojmë reformat, mendoj se janë të papërgjegjshme”, tha Osmani duke apostrofuar në qëndrimin e VMRO-DPMNE.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi, deklaroi se në rajonin e Ballkanit ngjarjet ndodhin shpejt dhe se çështjet për të cilat është punuar gjatë kohë shemben për 24 orë, duke lënë të kuptohet mes rreshtash se me këtë i drejtohet LSDM-së rreth Ligjit të gjuhëve.
Opozita maqedone ka qëndrim të prerë se nëse ligji miratohet pa diskutuar amandamentet, ajo do të zbatojë masa drastike duke hequr mëbshtetjen për ligjet e reformave dhe zgjidhjen e çështjes së emrit.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com