LSDM ka kërkuar nga kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, që të ndërmerr masa kundër drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, për të cilin LSDM pohon se ka diplomë të pavlefshme, njofton SHENJA.
Nga LSDM vlerësojnë se Koce Trajanovski tanimë duhej të kishte shkakruar apo suspenduar drejtorin Alexandër Atanasov.
“E vërteta është se Koce Trajanovski nuk ka as forcë e as guxim për të bërë këtë, sepse ai nuk është kryebashkiaku i vërtetë i Shkupit. Kryebashkiaku i vërtetë Nikolla Gruevski, ka lidhje familjare me Atanasovin dhe ai nuk lejon zëvendësimin e tij”, tha mes tjerash Damjan Mançevski nga LSDM.
Ai shtoi se ngjashëm si në Parlamentin e Maqedonisë, Nikola Gruevski ka futur paligjshmëri të plotë edhe në Qytetin e Shkupit, ku nuk vlejnë as rregullat, as ligji e as Kushtetuta.
Menjëherë pas kësaj, kanë reaguar edhe nga Qyteti i Shkupit, prej nga thonë se menjëherë pasi janë publikuar informata për vlefshmërinë e diplomës së drejtorit Atanasov, Qyteti i Shkupit ka filluar një proces për verifikimin e fakteve.
Qyteti i Shkupit ka njoftuar se ka kontaktuar institucionet kompetente që janë përgjegjëse për këtë çështje dhe se do të njoftojë publikun posa të merr ndonjë përgjigje. /SHENJA/