“Në vetëm tetë muaj, jemi dëshmitarë të një përkeqësimi dramatik të situatës ekonomike në vend dhe një rënie të standardit të jetesës së qytetarëve”. Kështu tha sot nënkryetarja e partisë opozitare LSDM, Kaja Shukova, duke theksuar që të dhënat e fundit ekonomike janë shqetësuese.
Kaja Shukova, nënkryetare e LSDM-së
“Gjithçka është shtrenjtuar. Çmimet e ushqimeve janë rritur me 20%, dhe disa produkte janë rritur edhe më shumë. Enti Shtetëror i Statistikave ka matur se kostoja e jetesës është rritur me 4.9%. Faturat e energjisë elektrike janë rritur me 20% në 30% dhe qeveria ka rritur çmimet e ngrohjes me 5% të tjera – që është një goditje e fortë për buxhetet familjare. Pagat janë në stagnim, nuk ka rritje as të pagës minimale dhe as mesatare. Qytetarët kanë çdo ditë e më pak para dhe mezi ia dalin mbanë”.
Ajo thotë se edhe parametrat e tjerë ekonomikë janë gjithashtu të këqia, duke theksuar prodhimin industrial që është ulur me 1.4% dhe eksportet e ulura me 5.9%. Po ashtu, Shukova potencon se edhe Investimet e huaja tashmë po largohen, siç është shembulli i kompanisë “Aptiv”, njëkohësisht thekson se ka edhe njoftime të tjera për mbyllje të reja fabrikash.
Kaja Shukova, nënkryetare e LSDM-së
“Paaftësia e qeverisë së Mickoskit po e shtyn vendin në krizë ekonomike dhe qytetarët me të drejtë janë të shqetësuar. Politikat e shportës kanë pësuar një debakli total dhe qeveria nuk ka përgjigje për koston në rritje të jetesës dhe varfërinë. Ndonëse Qeveria ka paralajmëruar ngrirjen e marzheve të martën, kjo javë ka kaluar dhe vendimi nuk është marrë. Natyrisht, interesi i elitës së biznesit për qeverinë është më i rëndësishëm sesa mbrojtja e qytetarëve”.
Ndërkohë ajo thotë se LSDM ka propozuar një strategji gjithëpërfshirëse ekonomike – një grup prej 7 masash të përkthyera në ligje. Këtu përfshihen ulja e TVSH-së për energjinë elektrike nga 18% në 5%, që do të ulë faturat e qytetarëve për energjinë elektrike deri në 13%, heqja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë, ngrirja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë për tre muajt e ardhshëm. Propozohet gjithshtu zbatimi urgjent i Ligjit për praktikat e padrejta tregtare, i cili do të ulë çmimet deri në 30%. Kërkohet edhe ulja e çmimit të “kartonit jeshil” për makinat e rritja e pagave në sektorin privat duke ngrirë kontributet.