Nga partia opozitare LSDM kanë reaguar nëpërmjet një pres – konference duke thënë mes tjerash se “a po shfaqet një skandal korruptiv në Qeveri, a ka kërkuar Mexhiti ryshfet?”
Më poshtë e gjeni reagimin e plotë të LSDM-së:
“Ne kërkojmë që kryeministri Kristian Mickoski të dalë dhe të përgjigjet: A është e vërtetë që Inspektorati i Administratës Shtetërore ka konstatuar “abuzim me detyrën zyrtare” nga ana e ministrit dhe zv.kryeministrit Izet Mexhiti dhe kabinetit të tij?
Nuk është çështja nëse Mexhiti është privuar nga kompetencat e tij, çështja është nëse në Vendimin e Inspektoratit të datës 17.01.2025 është konstatuar abuzimi me detyrën zyrtare.
Ne kërkojmë që Vendimi i Inspektoratit të publikohet menjëherë. Publiku duhet të ketë qasje në të gjitha detajet.
Veçanërisht pasi sipas informacioneve që duhet të konfirmohen, kjo masë është marrë si rezultat i ankesave dhe denoncimeve të shumta nga qytetarët dhe kompanitë që janë kërcënuar dhe kushtëzuar.
LSDM-ja i bën thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokurorisë Publike të hapin një hetim dhe të ndërmarrin masa përkatëse.”