LSDM-ja akuzon qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski se ka dështuar ta avancojë procesin e integrimit evropian të vendit dhe se Maqedonia e Veriut ka mbetur jashtë një udhërrëfyesi që, sipas partisë, Komisioni Evropian po përgatit për Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën.
„Komisioni Evropian po përgatit udhërrëfyes për katër vende – Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Maqedonia nuk është aty, është lënë jashtë. Ne mbetemi të bllokuar“, deklarojnë nga LSDM.
Nga partia opozitare thonë se ky është, siç e cilësojnë ata, rezultat i politikave të qeverisë së Mickoskit.
„Në vend të reformave, një politikë izolimi, gënjeshtrash dhe premtimesh boshe. Po humbasim kohë, para dhe fonde, ndërsa po humbasim edhe breza që po emigrojnë“, thonë nga LSDM.
Sipas tyre, përparimi drejt Bashkimit Evropian kërkon përmbushjen e detyrimeve të marra, forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit.
„Fotot në korridore nuk hapin kapituj negociatash. Fjalimet partiake nuk i zëvendësojnë reformat. Sulmet ndaj opozitës dhe fushatat e zeza nuk e çojnë vendin përpara. Qytetarët paguajnë çmimin“, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Partia opozitare shprehet gjithashtu se, sipas saj, nga ngecja e vendit në procesin e integrimit evropian përfitojnë forca që synojnë një rajon të dobët dhe të ndarë.
Në reagim, LSDM-ja e lidh këtë situatë edhe me ndikimin rus në rajon dhe akuzon kryeministrin Mickoski dhe subjektet politike që e mbështesin për orientim të kundërt me interesat evropiane dhe euroatlantike të vendit.
„Maqedonia nuk është zonë tampon e askujt. Nuk është rezervë për agjendat e të tjerëve. Maqedonia është atdheu i qytetarëve që meritojnë një të ardhme evropiane“, thonë nga LSDM.
Në përfundim, nga partia opozitare deklarojnë se përgjegjësi duhet të mbajnë, siç thonë ata, të gjithë ata që pengojnë reformat dhe procesin e integrimit evropian.
„Kushdo që pengon reformat, pengon rrugën evropiane. Kushdo që e mban vendin të bllokuar duhet të mbajë përgjegjësi“, thuhet në reagimin e LSDM-së.
The post LSDM: Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar në rrugën drejt BE-së appeared first on TV-SHENJA.


