Socialdemokratët që në rrethin e parë zgjedhor do të votojnë për Visar Ganiun, Teuta Arifin, Nevzat Bejtën dhe Fatmir Deharin, ndërsa integruesit në raundin e parë, votat e tyre do t’ua dedikojnë Petre Shillegovit dhe Maksim Dimitrievskit.
Partnerët qeveritarë Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti janë dakorduar që LSDM-ja dhe BDI-ja, përveç në nivel qendror të koalicionojnë edhe në nivel lokal në zgjedhjet që do të mbahen më 15 tetor, për komunat kyçe për të dyja partitë
Nga të dyja partitë për “Post.mk” konfirmuan se ka marrëveshje bashkëpunimi që nga rrethi i parë i zgjedhjeve. Sipas informatave të zyrtarëve të lartë të partive, LSDM-ja nuk ka nominuar kandidatë të saj në Çair, Tetovë, Gostivar dhe Kërçovë, ndërsa BDI-ja nuk ka dalë me kandidatë për Shkupin dhe Kumanovën.
Kjo nënkupton se socialdemokratët që në rrethin e parë zgjedhor do të votojnë për Visar Ganiun, Teuta Arifin, Nevzat Bejtën dhe Fatmir Deharin, ndërsa integruesit në raundin e parë, votat e tyre do t’ua dedikojnë Petre Shillegovit dhe Maksim Dimitrievskit.
Kjo është hera e parë, që partia e Ali Ahmetit të mos ketë kandidatë të saj në Manastir, Ohër dhe Gazi Babë. LSDM-ja, në Strugë ka nominuar kandidat të saj. Për këtë komunë gjithçka do të varet nga kandidatët për kryetarë komunash që do të kalojnë në raundin e dytë zgjedhor, sepse në garë për këtë komunë hyjnë VMRO-DPMNE-ja, BDI-ja, Aleanca për shqiptarët, BESA dhe PDSH-ja. Në qoftë se kandidati i LSDM-së nuk kalon në rrethin e dytë, atëherë socialdemokratët do ta përkrahin kandidatin e koalicionit qeveritar i cili do ta vazhdojë garën zgjedhore, respektivisht ose Ramiz Merkon e BDI-së ose Ziadin Selën e Aleancës për shqiptarët.
Vlen të theksohet se për herë të parë në Maqedoninë pluraliste, partitë e bllokut politik maqedonas dhe ai shqiptar, për zgjedhjet lokale hyjnë në koalicion që nga rrethin e parë të zgjedhjeve. Sipas praktikës së deritanishme, bashkëpunim midis partive maqedonase dhe ato shqiptare për Shkupin, Çairin, Tetovën, Kumanovën, Gostivarin etj. ka pasur vetëm në raundin vendimtar, respektivisht në rrethin e dytë të zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2013, karakteristike ka qenë votimi etnik në Strugë dhe Kërçovë.

