LSDM-ja, përmes një komunikate, akuzoi institucionet se ende nuk kanë përcaktuar përgjegjësi për ndotjen e ujërave, megjithëse, sipas partisë, pasojat po i ndiejnë qytetarët në disa pjesë të vendit.
Nga partia theksojnë se, sipas informacioneve jozyrtare, në lumenjtë Lepenc dhe Vardar ka përfunduar një kimikat që përdoret në prodhimin e detergjenteve, ndërsa Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor ende nuk i ka publikuar rezultatet përfundimtare të analizave.
“Sa kohë nevojitet për të përcaktuar se çfarë e ka ndotur ujin? A po zvarritet qëllimisht procedura?”, pyesin nga LSDM-ja.
Sipas partisë, disa qytete dhe vendbanime po përballen me probleme në furnizimin me ujë. Ata përmendin edhe gjendjen në Gostivar, ku, sipas pretendimeve të tyre, ka epidemi të verdhëzës.
LSDM-ja e akuzon Qeverinë se po dërgon mesazhe kundërthënëse në opinion, duke theksuar se kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, kanë dhënë informacione të ndryshme lidhur me sigurinë e ujit.
Në komunikatë, partia drejton kritika edhe ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke vlerësuar se institucionet nuk po i zgjidhin problemet thelbësore, ndërsa shëndeti i qytetarëve po vihet në rrezik.
Nga LSDM-ja vlerësojnë se opinioni nuk po merr informacione të plota dhe në kohë për gjendjen me ujin. Ata kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit, përcaktimin e përgjegjësisë dhe informim transparent të qytetarëve.



