VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe LSDM-ja kanë këmbyer sot akuza për qeverisjen 100 ditëshe të Qeverisë së Zaevit. Përmes kumtesës për media, nga LSDM thonë se Qeveria e udhëhequr nga ata në njëqind ditët e para të mandatit ka forcuar pozitën ndërkombëtare të Maqedonisë.
LSDM
“Nënshkrimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim në mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, tregon se Republika e Maqedonisë mund vet t’i zgjidh çështjet e hapura me fqinjtë, ndërsa zgjidhjet të jenë reciprokisht të dobishme dhe interes i përbashkët i qytetarëve të dy shteteve. Nga një vend i izoluar i vendosur në Ballkanin Perëndimor, Maqedonia llogaritet si faktor kyç rajonal që do të sjellë integrim euroatlantik të rajonit. Përfundoi koha kur VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevskit për interesa personale kriminale e izoluan shtetin dhe krijuan konflikte me fqinjtë dhe bashkësinë ndërkombëtare”.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i VMRO-DPMNE-së. Në kumtesë nga partia maqedonase në opozitë thonë se Qeveria e re ka zgjedhur politikë të lëshimeve dhe nënçmimit kombëtar.
VMRO-DPMNE
“Para zgjedhjeve premtonin hyrje të shpejtë në NATO dhe fillim të shpejtë të negociatave me BE-në. Atë që e premtuan nuk e realizuan dhe jo vetëm që nuk jemi anëtar i NATO-s dhe nuk i filluam negociatat me BE-në, por mundohen që të prezantojnë si sukses zhbllokimin e rekomandimit për fillim të negociatave për anëtarësim në BE, gjegjësisht heqjen e rekomandimit të kushtëzuar. Në vend se të ruajnë interesat e Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj, Qeveria e LSDMsë merret me sjelljen e strategjisë për vendosjen e qindra mijëra refugjatëve”.
VMRO-DPMNE që nga dita e parë në opozitë e akuzon Qeverisjen e udhëhequr nga LSDM, se gjoja punon kundër interesave nacionale të maqedonasve. Mefail Ismaili /SHENJA/

