Kryetari i opozitës LSDM Venko Filipçe drejtoi kritika të ashpra ndaj Qeverisë, e cila sipas tij, nuk po i ndihmon qytetarët dhe se masat si ulja e TVSH-së për karburantet nuk japin efekt real! Filipçe i bëri thirrje Qeverisë të pranojë masat e propozuara nga LSDM si ulja e TVSH-së në 0% për karburantet dhe produktet bazë, ulja e akcizës dhe pagesave rrugore, masa që sipas tij, do të çonin në ulje konkrete të çmimeve dhe përfitime për qytetarët dhe bizneset. Kërkoi edhe masa të posaçme për kategoritë më të rrezikuara si familjet me të ardhura të ulëta, pensionistët dhe personat me nevoja të veçanta.
“Përveç çmimit të karburanteve, të ulet edhe TVSH-ja e produkteve ushqimore bazë në 0%, të ulet akciza për 4 denarë! Kështu do të ketë zbritje të vërtetë të çmimit të karburanteve, nga e cila përfitim do të shohin edhe qytetarët, sepse tani qytetarët nuk janë duke parë përfitim nga ulja e TVSH-së, sepse edhe përskaj uljes së TVSH-së – çmimet u rritën; me uljen e akcizës çmimi i karburantit për litër do të ulet, e nga kjo përfitim direkt do të kenë edhe kompanitë, sepse nuk do të ndikojë në zinxhirin e rritjes së vazhdueshme të çmimeve të tjera”, tha Venko Filipçe – kryetar i LSDM.
Edhe opozitarja BDI kritikoi pushtetin, duke thënë se Komisioni Rregullator për Energjetikë po dëmton qytetarët në kohë krize energjetike, pasi, sipas tyre, pavarësisht rënies prej rreth 10% të çmimeve të derivateve të naftës në bursat ndërkombëtare, çmimet në vend mbeten të larta për shkak të një modeli të vjetruar të përllogaritjes që bazohet në mesataren e javës së kaluar dhe jo në lëvizjet në kohë reale, një praktikë që BDI vlerëson se favorizon interesa të caktuara biznesore në dëm të konsumatorëve.
“Prandaj kërkojmë ndryshim urgjent të rregullores për përcaktimin e çmimeve, Vendosjen e përllogaritjes së çmimeve të paktën dy herë në javë! Faktet janë alarmante – konsumi javor: rreth 12 milionë litra naftë, dallimi në çmim rreth 9 denarë për litër, kosto shtesë totale: mbi 1.5 milion euro vetëm për një javë. Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset e vogla paguajnë miliona më shumë, ndërkohë që dikush përfiton nga një sistem që nuk funksionon si duhet”, dekalroi Albana Mustafa –BDI.
Përndryshe, dy partitë opozitare LSDM dhe BDI që para disa ditësh kanë dalë me propozimet e tyre për masa me të cilat do të zbutej kriza për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve.
Të dielën, me qëllim që të zbutet rritja e çmimeve dhe të mbrohet standardi i qytetarëve, Qeveria vendosi ta ulë TVSH-në karburantet nga 18% në 10%.


