Për partitë politike shqiptare zgjedhjet lokale të 15 tetorit janë test për matjen e re të forcave pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar. Për arsye që rezultatet e zgjedhjeve parlamentare pothuajse dolën të barabarta, subjektet politike shqiptare dhe maqedonase kanë vendosur që në zgjedhjet e pushtetit lokal të nominojnë kandidat që i takojnë rangut të lartë partiak, me qëllim që të sigurojnë fitore në sa më tepër komuna, shkruan Almakos.
Për Lëvizjen Besa pas zgjedhjeve parlamentare, “lokalet” do të jenë të parët dhe siç pohuan për Almakos, partia e Bilall Kasamit është e sigurt se do të fitojë besimin e qytetarëve edhe në këto zgjedhje. Fakti që Lëvizja Besa do të “lufton” për timonin në Shkup dhe në Tetovë, dëshmon me sa seriozitet kjo parti kyçet në zgjedhjet lokale.
“Çdo proces zgjedhor mbi te gjitha është çështje e legjitimitetit të partive kundrejt elektoratit. Për Lëvizjen BESA këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme sepse janë zgjedhjet e para vendore. Kjo do të jetë një mundësie shkëlqyeshme që në komunat që ne do të marrim besimin e qytetarëve të dëshmojmë punën dhe përkushtimin tonë për të qenë në shërbim të qytetarëve,” deklaruan nga Lëvizja Besa për Almakos.
Këto zgjedhje lokale të rëndësishme janë edhe për Aleancën për Shqiptarët, e cila në Strugë ka nominuar liderin e saj Ziadin Selën ndërsa për në Gostivar është vendosur të garojnë nën emrin e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari. Për Almakos nga Aleanca për Shqiptarët deklaruan se zgjedhjet lokale do të pasqyrojnë më së miri besimin që Aleanca për Shqiptarët ka tek qytetarët.
“Zgjedhjet Lokale për Aleancën për Shqiptarët kanë rëndësi të veçantë, përveç ofertës sonë programore, dhe kadrovike këto zgjedhje do të përcaktojnë dhe testojnë edhe rolin dhe përgjegjësinë e subjekteve politike në periudha të caktuara. Këto zgjedhje nuk janë vetëm lokale, por më shumë se kaq. Ne vlerësojmë se roli ynë ka qenë konform kërkesave të elektoratit shqiptar konstruktiv ku ka patur nevojë dhe këmbëngulës ku ka qenë e domosdoshme dhe besojmë se ky veprim i yni do të vlerësohet pozitivisht nga shumica e popullësisë shqiptare në zgjedhjet lokale 2017”, qëndron në kumtesën e Aleancës për Shqiptarët dërguar në adresën e Almakos.
Mirëpo për një pjesë e njohësve të çështjeve politike në vend, partitë politike i’a kanë humbur kuptimin e vërtetë të zgjedhjeve. Analisti Arsim Sinani për Almakos shkruan se tek partitë politike mungon kreativiteti dhe me këtë kanë zhdukur vlerën e zgjedhjeve lokale.
“Zgjedhjet lokale janë shëndruar në arenë të gladiatorëve në vend të kreativitetit, emrit dhe vizionit, partitë zgjodhën gjeneralët e tyre të merren me kanalizime dhe ujërat e kënetave,” deklaroi Arsim Sinani për Almakos.
Përndryshe, zgjedhjet lokale të 15 tetorit nga Bashkimi Evropian janë vlerësuar si test i rradhës për Maqedoninë, dhe zyrtarët e BE-së presin që zgjedhjet lokale të organizohen në atmosferë fer dhe demokratike, pasiqë bëjnë pjesë në pakon e reformave të Këshillit Evropian për Maqedoninë. /Almakos.com
Përgatiti: Blerim Ismaili