14 September
Në mesnatë skadon afati ligjor për dorëzimin e listave të kandidatëve të partive politike për kryetarë komunash dhe anëtarë të këshillave komunal. Komisionet zgjedhore komunale në afat prej 48 orësh nga pranimi i listës së kandidatëve duhet të vlerësojë nëse lista është dorëzuar në përputhje me afatin e paraparë me Kodin Zgjedhor. Listat të cilat do të dorëzohen pas skadimit të afatit ose që do të kenë parregullsi të cilat nuk janë përmirësuar, do të hidhen poshtë.
Nga ana tjetër partitë politike vazhdojnë të zyrtarizojnë edhe kandidaturat e fundit, por një pjesë e tyre ende nuk ka publikuar kandidatët për qytetet e mëdha. Së fundmi VMRO-DPMNE-ja shpalosi 37 kandidatura ndër të cilat ishte edhe ajo e Johan Tarçullovskit për komunën e Kisella Vodës.
Nga ana tjetër partia e kryeministrit Zaev së fundmi ka zyrtarizuar kandidaturën për komunën Qendër, ku Sasha Bogdanoviq do të jetë garuesi i tyre për këta zgjedhje lokale. Por nga ana tjetër LSDM-ja ende nuk ka qëndrim të prerë lidhur me kandidaturën e saj në çair, nëse do nxjerr kandidatin e saj apo do të përkrah kandidatin e BDI-së, Visar Ganiun.
BDI nga ana tjetër është partia e cila deri më tash ka shpalosur më pak emra kandidatësh për kryetarë dhe këshilla komunal. Nga kjo parti tanimë ditë me radhë nuk pranojnë të konfirmojnë kandidaturat e përfolura për qytetet e caktuara të vendit, përfshirë këtu edhe Teuta Arifin për qytetin e Tetovës. Nga BDI poashtu nuk sqarojnë nëse do kenë bashkëpunim me LSDM-në në Çair dhe në Qytetin e Shkupit.
Pos partisë së Ahmetit, partitë tjera tanimë kanë shpalosur kandidaturat e tyre për Qytetin e Shkupit. LSDM do të garon me deputetin e saj Petre Shilegov, VMRO me Koce Trajanovskin, Aleanca me Naim Bajramin, PDSH me Bekim Fazliun, ndërkaq jozyrtarisht BESA do të kandidojë me Bekim Saliun.
Lëvizja Besa ndërkohë ka zyrtarizuar kandidaturat e saj. Në Tetovë Besa do të garojë me liderin e saj Bilall Kasamin, në Çair me Zeqirja Ibrahimin, ndërkaq në Gostivar me Asaf Ademin.
Edhe Aleanca për shqiptarët tanimë ka grumbulluar kandidaturat e saj. Edhe atë, në Tetovë kjo parti do të del në garë me Adnan Nezirin, në Gostivar me Arben Taravarin ndërkaq në Cair me Faruk Avdiun.
Edhe PDSH e Menduh Thacit, ka finalizuar listën e kandidatëve. Në Tetovë kjo parti do të garojë me Bardhyl Dautin, në Cair me Idriz Oranën ndërkaq në Gostivar me Sabajdin Izarin.
Fushata zgjedhore fillon më 25 shtator kurse zgjedhjet lokale në vend do të mbahen më 15 tetor.
Vjollca Aliti

