PANAIRI I LIBRIT “TIRANA 2022”
Këtë vit “Logos-A” vjen më një numër të konsiderueshëm titujsh të cilët jemi të bindur që paraqesin prurje të re në duart e lexuesit.
Në kuadër të bibliotekës Lexo e cila sjell libra nga fusha e shkencave sociale, “Logos-A” prezanton veprën “Filozofia e Arsimit” të autores amerikane Nel Noddings, ndërsa këtu nuk mungon as libri i antropologut slloven Mitja Velikonja me titull, “Grafitet Politike Post-Socialiste në Ballkan dhe Europën Qendrore” si dhe libri mjaft sfidues, “A mund të eliminohet LUFTA?” nga autori Cristopher Coker. Titujt në bibliotekën Lexo pasurohen me veprën e Edward Saidit “Kultura dhe Imperializmi” si dhe me veprën vëllimore të përgatitur nga sociologu Ali Pajaziti “Sociologjia e Islamit”.
Bibliotekën e letrave shqipe e kemi pasuruar me librin më të ri të shkrimtarit Kim Mehmeti, “Nga Albumi i Fotografive të Largëta – Ese për Vetveten”. Biblioteka Divan e cila përmban tituj nga fusha letrare vjen me veprën monumentale “Lejla dhe Mexhnuni”. Titujt që ekskluzivisht kanë të bëjnë me gjuhësinë, përfshirë këtu edhe fjalorët, janë tituj të vitrinës së bibliotekës Fjala e cila këtë vit lexuesve ua sjell “Fjalorin serbisht-shqip”, përgatitur nga Rexhep Zllatku, si dhe botimin më të ri, “Fjalori i terminologjisë Fetare” nga Ekrem Murtezai.
Ndërsa në kuadër të bibliotekës Gjurmët që shpalos vepra me peshë historike për historinë tonë kombëtare sjellim librin “Nga Historia e shqiptarëve tё Egjiptit gjatë shekujve XV-XX”, të historianit Muhamed Mufaku. Sa i takon botimit të Kompleteve këtë vit para lexuesit paraqesim veprën 8-vëllimshe të shkruar nga Tahir Kolgjin,i një figurë e cila ndonëse e harruar e rikthejmë në mesin tonë.
Ky katalog është dëshmi e punës njëvjeçare të Sh.B. “Logos-A” dhe duke mos pasur mundësi që t’i radhisim të gjithë titujt po e lëmë lexuesin që vetë t’i shohë tituj e sivjetmë.
Frymëzimi vazhdon…