Ndryshe nga lideri i opozitës, Hristian Mickoski, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, vlerëson se rrugëtimi i vendit drejt BE-së po hedh hapat e fundit.
Në një postim në rrjetet sociale, Lloga thekson se: “Ndryshimet kushtetuese tanimë kanë hyrë në binarët e Kuvendit dhe të zgjedhurit janë para sfidës nëse do të vendosin për të ardhmen e qytetarëve apo për izolimin e tyre. Në Komisionin për çështje kushtetuese, u hap debati mbi iniciativën për miratimin e nevojës për ndryshime kushtetuese, pas çka më 19 gusht do të përcillet në seancë plenare. Pasi të miratohet nevoja për ndryshimin e Kushtetutës, në fazën e dytë do të pasojnë amendamentet kushtetuese. Në momente vendimtare, burrështetasit vendosin për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve që i kanë zgjedhur ata, ndërsa politikanët e rëndomtë bëjnë politika ditore.”, thekson ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.