VLEN ka reaguar ashpër ndaj glorifikimit të çetnikëve dhe veçanërisht të Ratko Mlladiqit, të dënuar për gjenocid dhe krime të tjera të rënda, duke kërkuar përgjegjësi të menjëhershme nga drejtuesi i institucionit që ka për detyrë mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve.
Nga VLEN thonë se shqetësimi bëhet edhe më i madh kur përmbajtje të tilla publikohen nga një zyrtar që drejton një institucion përgjegjës për të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera.
„Kjo nuk është çështje shijesh apo bindjesh personale. Është çështje e standardeve të një zyrtari publik dhe e mesazhit që institucionet ua dërgojnë qytetarëve“, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Sipas tyre, personat që nuk respektojnë viktimat dhe vlerat e bashkëjetesës nuk mund të kenë rolin e garantuesit të të drejtave të komuniteteve.
VLEN kërkon përgjegjësi të menjëhershme, duke e cilësuar rastin si çështje të standardeve institucionale dhe të besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.



