Debati politik rreth përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës ka nxitur një përplasje të re mes ish-ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, dhe deputetes së VLEN-it, Saranda Imeri Stafai.
Reagimi erdhi pasi deputetja Imeri akuzoi se “22 vite pushtet nuk mbulohen duke fajësuar të tjerët”, duke publikuar edhe fotografi të ministrave shqiptarë të Drejtësisë.
Sipas saj, opozita shqiptare ka të drejtë të kritikojë, por më parë duhet të japë llogari për çështjet që nuk janë realizuar, duke theksuar se provimi i jurisprudencës nuk u mundësua në gjuhën shqipe kur kishte mundësi të bëhej.
“Ndonjëherë heshtja do të ishte më e ndershme”, shkroi Imeri në reagimin e saj publik.
Në kundërpërgjigje, Lloga theksoi se për 24 vjet deputetja ka qenë vetëm gjashtë muaj në opozitë, ndërsa pjesën dërrmuese të kohës në pushtet.
Ai theksoi se vetë ka kaluar 24 vjet në opozitë dhe vetëm 10 muaj në qeverisje, periudhë gjatë së cilës, sipas tij, në Kuvend janë dorëzuar ligjet për mundësimin e provimeve në gjuhën shqipe.
“Për 24 vjet, kjo zonjë ka qenë vetëm 6 muaj në opozitë – pra, për më shumë se gjysmën e jetës së saj ka qenë në pushtet. Ndërkohë, unë kam qenë 24 vjet në opozitë e 10 muaj në qeverisje dhe, gjatë asaj periudhe, kësaj zonje dhe grumbullit të partive të saj që s’VLEjN, ua kam lënë në parlament Ligjin për ta votuar. Megjithatë, kjo zonjë pati votë për Stoilkovicin, por jo edhe për ligjet për provimet në gjuhën shqipe (Jurisprudencë, Notariat, Përmbarim)”, shkruan Lloga. (koha.mk)


