Pas refuzimit për ngritje të akuzës kundër ish ministres së kulturës Elizabeta Kançevska Milevska nga ana e prokurorisë, tani Gjykata liron nga akuzat një njeri tjetër të afërt me VMRO DPMNE-në. Gjykata Penale liroi nga akuzat edhe gazetarin Dragan Pavlloviç Llatas i cili akuzohej për ndërtime pa leje me vëllezërit e tij në Zelenikovë në rastin “Lëndina” të PSP-së. Gjykata Penale e shpalli të pafajshëm gazetarin Llatas dhe vëllezërit e tij Sërxhan dhe Xvezdan Pavloviq me arsyetimin se objektet kanë nisur të ndërtohen pa leje, por më tej është bërë kërkesë për legalizimin e tyre, dhe kështu objektet janë bërë legale. Gjykata ka theksuar se asnjë institucion më parë nuk kishte konstatuar se këto objekte kanë qenë ndërtime pa leje.
Maja Kletniçka, gjykatëse
“Duke i marrë parasysh të gjitha provat gjykata solli vendim me të cilin të akuzuarit i liron nga akuzat në pajtueshmëri me nenin 403, paragrafi 1. Vepra për të cilën akuzohen personat në fjalë, nuk është vepër penale…Gjykata apelon deri tek mediat që opinioni të informohet në mënyrë objektive dhe për arsyet e vërteta pavarësisht se kush është paditësi apo kush është i akuzuari”
Por, PSP-ja nuk ishte e kënaqur me këtë vendim. Kundërshtoi ashpër lirimin e vëllezërve Pavlloviq për të cilët madje pati kërkuar që tu merren shtëpitë e ndërtuara pa leje.
Elizabeta Josifovska, prokurore
“Në lidhje me vendimin e gjykatës do të shprehemi në ankesën me shkrim. Por tani ajo që mund të them është se nuk është zbatuar procedura për legalizim, gjë që ka konstatuar edhe vetë gjykata. Bëhet fjalë për një procedurë e cila sipas dispozitave ligjore duhet të rrjedhë në një mënyrë pak më ndryshe. Së pari nxirret leja për ndërtim, pastaj fillohet me ndërtimin. Mendoj se edhe gjykata konstaton se për një periudhë të caktuar është ndërtuar pa leje. Ajo që nuk kanë reaguar institucionet adekuate nuk është bazë për përjashtim të përgjegjësisë penale të të akuzuarve të cilët ishin në këtë proces”
PSP-ja gjatë fjalëve përfundimtare pati dhënë një shpjegim të gjatë për veprimet e paligjshme të tre vëllezërve, por gjykata nuk i mori parasysh. Gjatë fjalëve përfundimtare PSP-ja e bëri të qartë se të akuzuarit kanë qenë të vetëdijshëm se po ndërtojnë vila pa leje dhe kanë qenë të vetëdijshëm se ato mund tiu rrënohen por megjtihatë nuk kanë ndaluar. Vilat i kanë ndërtuar në vitin 2011 ndërsa tek në vitin 2013 kanë bërë kërkesë për gjoja leje ndërtimi, që ta kenë vetëm si formalitet.
https://www.youtube.com/watch?v=1IQxPOoRn34