Goran Bogdanoviq, ish ministër në qeverinë e Serbisë, ka thënë se gjatë kohës sa ishte asamblist në Komunën e Leposaviqit ka parë se sa paratë janë derdhur në veri dhe se kush i ka kontrolluar ato.
Ai në një intervistë për emisionin #KallxoPërnime me Jeta Xharrën, ka shtuar se paratë që kanë ardhur nga buxheti i Kosovës në komunat veriore të Kosovës, janë keqpërdorur.
Përderisa ai ka mohuar të ketë informacione lidhur me grupin terrorist që sulmoi policinë e Kosovës ditën e 24 shtatorit në Banjskë.
Por ka shtuar se për këtë duhet të përgjigjen institucionet përkatëse, pasi sipas tij ky konflikt ka mundur të destabilizojë jo vetëm Serbinë e Kosovën, por gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Kjo pyetje është retorike, kjo pyetje parasëgjithash nuk është për mua, është pyetje për strukturat e sigurisë në Kosovë, për strukturat e sigurisë së bashkësisë ndërkombëtare, KFOR-in, ata duhet ta japin përgjigjen për atë pyetje. A është sjellë ky armatim nga Serbia, apo ka qenë në Kosovë, si dhe çfarë ka ndodhur në këtë kuptim, nuk mundemi ne si politikanë t’i dimë këto gjëra…”, ka thënë ai