Lista e pavarur Për Shqiptarët e Kumanovës ka njoftuar se do të marrë pjesë dhe do ta mbështesë fuqishëm Protestën Gjithëkombëtare, e cila do të zhvillohet më 13 dhjetor 2025, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, duke filluar nga ora 13:00.
Sipas njoftimit, protesta organizohet në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët – siç thuhet – po mbahen padrejtësisht të burgosur dhe po gjykohen në Hagë.
Formacioni politik thekson kundërshtimin ndaj çdo përpjekjeje për kriminalizimin e luftës çlirimtare, cenimin e dinjitetit shqiptar dhe tentativat për rishkrimin e historisë në dëm të sakrificës së dëshmorëve dhe të mbarë kombit.
Sipas njoftimit, UÇK-ja ka kryer një luftë të drejtë, çlirimtare dhe të njohur ndërkombëtarisht, duke mbrojtur popullin shqiptar nga gjenocidi i pushtuesit. Ndjekja penale e udhëheqësve të saj, ndërkohë që – siç thuhet – agresori nuk po përballet me pasoja, konsiderohet një padrejtësi historike, politike dhe morale.
Lista e pavarur kërkon ndërprerjen e “trajtimit selektiv” të drejtësisë ndërkombëtare dhe lirimin e menjëhershëm të udhëheqësve të UÇK-së, të cilët i cilëson si mbrojtës të lirisë së Kosovës.
Organizatorët u bëjnë thirrje qytetarëve, veteranëve, familjeve të dëshmorëve, rinisë dhe mbarë shqiptarëve në rajon e diasporë të marrin pjesë në këtë protestë, e cila – siç thuhet – do të jetë e qetë, madhështore dhe dinjitoze.
Në fund të njoftimit theksohet se “UÇK-ja është nderi i kombit”.
Lista e pavarur “Për Shqiptarët e Kumanovës”


