Sot mund të jenë prapa mureve të Hagës, por në zemrat e njerëzve janë të lirë, dhe ata mbeten të pavdekshëm përgjithmonë.
Shkruan: Hamzi Ibraimi
Liria nuk është një fjalë boshe, as një koncept që recitohet në ceremoni zyrtare. Liria është gjallë, ajo ka fytyrë, histori dhe mbi të gjitha ka emër. Ky emër lidhet me ata që guxuan të thonin “po” për të drejtat e popullit dhe “jo” për padrejtësinë. Ky emër është i komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata nuk ishin thjesht luftëtarë. Ata janë simbol i një populli që vendosi të guxojë kur frika mbulonte çdo rrugë tjetër. Çdo sakrificë, çdo vendim i tyre i guximshëm, reflekton një amanet kolektiv: të mos harrojmë, të mos dorëzohemi dhe të mos ndalemi kurrë në rrugën drejt lirisë.
Historia e tyre nuk përfundon me betejat në front. Ajo vazhdon në kujtesën tonë kolektive. Çdo ditë, çdo hap përpara, duhet të na kujtojë se një popull që harron historinë rrezikon të humbasë të ardhmen.
Në botën e sotme, ku zërat e të drejtës shpesh heshtin, kujtesa bëhet më e rëndësishme se kurrë. Kujtesa për komandantët e UÇK-së nuk është vetëm respekt për të kaluarën është një udhërrëfyes për të ardhmen. Ajo na mëson se guximi dhe integriteti janë parakusht për çdo shoqëri të lirë. Liria nuk është dhuratë, por rezultat i betejave, vendimeve të vështira dhe dashurisë për atdheun.
Ndërsa sot, emrat e komandantëve të UÇK-së gjenden në bankat e gjyqit në Hagë. Por aty nuk gjykohen thjesht individë. Aty gjykohet historia jonë e afërt, simboli i qëndresës dhe i rezistencës. Është përpjekja për ta relativizuar dallimin midis viktimës dhe agresorit, por asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë faktin: UÇK ishte ushtria e një populli të shtypur, që luftoi për lirinë.
Komandantët e UÇK-së nuk janë thjesht emra. Ata janë pjesë e amanetit të një populli që vendosi të jetojë i lirë. Në trupin dhe historinë e tyre është shkruar çmimi i lirisë: sakrificat, plagët, humbjet, dhe barra që mbajnë. Ata janë dëshmi se liria u fitua me gjak, jo me mëshirë.
Detyra jonë nuk është të heshtim. Është të kujtojmë dhe të dëshmojmë. Është të mos lejojmë që sakrifica të shndërrohet në fjalë boshe. Sepse Liria ka emër, dhe emrat e saj janë gjallë në kujtesën tonë. Edhe pse sot gjykohen në Hagë, nesër do të mbeten në histori si ata që i dhanë kuptim fjalës liri.
Mos e harroni kurrë: Liria ka emër dhe derisa ta kujtojmë këtë, askush nuk mund ta gjykojë apo ta burgosë dot lirinë.