Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje që është kandidat për kryeministër ka folur rreth një kërcënimi që Sali Zyba i partisë së tij ia ka bërë kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit.
Sali Zyba e ka paralajmëruar Shpend Ahmetin se nuk do të jetë më kryetar i Prishtinës dhe se i duhet ta gjejë një vend për të ikur, sic kishte bërë ish-kryetari i Kacanikut, Xhabir Zharku vite më parë.
Kurti thotë se nuk është për këso lloj qasje si të Zybës ndaj Ahmetit, por ‘liria e shprehjes normalisht’.
“S’jam për krahasime të tilla. S’e kam lexuar, por s’jam për krahasime të tilla. Mendoj se kemi punë më të mençura të merremi se kush çka ka bërë, kush kaloi e çka bëri. S’na takon kjo neve. Jam për dashuri të madhe për vendin tonë, angazhim maksimal për progresin e jo për të humbur kohë e as nerva për çështje të së kaluarës e hatërmbetje. Edhe për ato problemet e brendshme në VV s’kam lejuar që për shkak të degës e gjetheve të mos e shoh malin. S’jam për atë qasje, por liria e shprehjes normalisht. Opozitarizimin për Prishtinë s’e bëjnë deputetët, por dega e Prishtinës”, ka thënë Kurti në një intervistë për Kohën Ditore, transmeton Gazeta Express.




