Alsat 2019-09-24T15:03:20+02:00
Dështimi i grupeve të punës për shkak të interpretimeve të ndryshime të konstatimeve nga takimi i liderëve, nuk ka de-motivuar grupet e punës për të vazhduar negociatat. Nga ministria e Drejtësisë thonë negociatat duhet vazhdojnë deri atëherë kur të ofrohen zgjidhje më të mira se ato aktuale.
Opozita fajin ia faturon Renata Deskoskas si udhëheqëse e procesit të negociatave për gati 9 muaj. Por ekspertët vlerësojnë se zgjidhja e fatit të lëndëve të Speciales ka rehatuar grupet e punës dhe për këtë arsye nuk i bëhet vonë nëse miratohet propozim-Ligji për Prokurorinë Publike ose jo.
Është fakt që marrja e lëndëve nga Prokuroria Publike dhe shpërndarja e tyre tek prokurorët ishte një zgjidhje e duhur me qëllim që lëndët të procedohen më tutje, por nga ana tjetër nuk guxon që ky veprim t’i rehatojë grupet e punës dhe t’i largojë një dit e më tepër nga gjetja e zgjidhjes për Prokurorinë Publike – tha Arta Bilalli-Zendeli, Juriste.
E pyetur nëse qëndrimet e liderëve Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski dallojnë nga kërkesat dhe ofertat në grupet e punës, Bilalli shton se kompromisin e pengon këmbëngulja e palëve në kërkesa.
Kompromisi nuk është i mundur në këtë rast me këmbënguljen dhe një veprim i tillë vetëm sa e dëmton procesin edhe ashtu të brishtë të reformave. Vetëm të kujtohemi në gjithë atë zhurmë të para disa javëve u bë me qëllim gjetjen e një zgjidhje për Prokurorinë Publike, më lind dyshimi nëse atëherë na vunë në lajthitje apo tani jemi në lajthitje kur e shohim se çdo ditë e më tepër jemi larg zgjidhje së pranueshme dhe të zbatueshme për Prokurorinë Publike – deklaroi Arta Bilalli-Zendeli, Juriste.
Në takimin e fundit grupet e punës nuk diskutuan aspak për shkak të dallimeve që kishin pushteti dhe opozita mbi konstatimet që dolën nga takimi i liderëve Zaev-Mickoski, takim ky i cili përfundoi pa marrëveshje. Takimi i radhës nuk është caktuar, ndërsa jo zyrtarisht mësohet se grupet nuk kanë nisur as konsultimet brenda partiake. Propozim-Ligji për Prokurorinë Publike ka ngecur në procedurë Parlamentare në fazën e shqyrtimit të amendamenteve.
Adrian Kerimi
Loading…




