
Alsat 2019-09-23T15:47:57+02:00
Dështon takimi i grupeve të punës mes pushtetit dhe opozitës për propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike. Konstatimet e takimit të liderëve i cili rezultoi pa marrëveshje kanë bërë që negociatorët të kenë qëndrime diametralisht të kundërta mbi ndarjen e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion në dy organe të veçanta.
“Si fillim kemi dallime në interpretimin e përfundimeve nga takimi i liderëve. Njëherë t’i pastrojmë këto dallime pastaj të vazhdojmë. Kur do të takoheni? Nuk jemi marr vesh”.
Para takimit ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska u shpreh pesimiste mbi kompromisin e mundshëm duke shtuar se pesimizmi i saj buron nga kërkesat e opozitës.
Unë më shumë jam realiste se sa optimiste. Duke e ditur se më kë negocioj nuk mund të them se jam optimiste. Por ne nga vullneti jonë do të shprehim gjithçka me qëllim që të tejkalohen dallimet në ligj. Kemi disa dallime: Procedura dhe mekanizmat mbrojtëse për zgjedhjen e shefit të prokurorisë së re. E dyta, a do të ketë a apo jo prokurori të re dhe e fundit fati i lëndëve, periudha dhe procedura e tyre. Nëse vendosim ta abrogojmë ligjin për PSP-në duhet të gjejmë zgjidhje të pastër ligjore që të mos ketë dyshime në të ardhmen”-tha Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.
Opozita e cilësoi Deskoskën si udhëheqëse e dështuar e negociatave.
Për fat të keq ministrja e Drejtësisë është e kënaqur me dështimet dhe përgjegjësinë e saj tenton ta hedh tek të tjerët. Derisa unë do të isha ministër i Drejtësisë, pas 9 muajve negociata të pasuksesshme dhe lëshime të shumta në ministrinë e Drejtësisë, nuk do ta shihja vetën si ministër i suksesshëm”-pohoi Antonio Milloshoski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
I vetmi optimist rezultoi presidenti Stevo Pendarovski i cili deklaroi se grupet e punës janë afër marrëveshjes dhe se së shpejti pritet tejkalimi i çështjeve kontestuese.
Sa e di unë, praktikisht çështja në lidhje me këtë ligj është pastruar. Eventualisht kanë edhe 2-3 çështje kontestuese për të cilat partia kryesore opozitare dhe partia kryesore në pushtet kanë mendime të ndryshme por mendoj se janë shumë afër marrëveshjes. Megjithatë nëse nuk ka vullnet që edhe kjo të dakordohet, është e kot t’i mbledh unë ose ju ose kushdo qoftë. Nëse nuk e miratojmë këtë ligj nuk do të jetë problem që të marrim datë për negociata sepse me vendimin që lëndët të transferohen nga PSP-ja në Prokurorinë e rregullt, ai problem, në këtë periudhë, është zgjidhur”-tha Stevo Pendarovsi, president.
Takimi i radhës nuk është caktuar. Grupet e punës do të konsultohen në organet partiake për t’u rikthyer më pas në bisedime me qëllim tejkalimin e dallimeve mbi ndarjen e prokurorisë, përdorimin e bombave si dëshmi në procedurë dhe fatin e lëndëve të Prokurorisë Speciale Publike.
Adrian Kerimi
Loading…




