Alsat 2019-07-25T16:55:59+02:00
Ndryshimet e reja në ligjin për mbrojtje shëndetësore ulin sanksionimin ndaj specializantëve shtetërorë në rastet kur ata braktisin specializimet, para afatit të parashikuar për përfundimin e tyre. Deri më sot, braktisja e specializimit sanksionohej me 5 deri në 10 herë më shtrenjtë se sa vetë specializimi. Risitë e tjera në këtë projektligj, i shpalosi sot ministri i shëndetësisë Venko Filipçe.
Një risi tjetër të rëndësishme që sjellim me kërkesën e mjekëve dhe specialistëve në institucionet tona shëndetësore, është miratimi i punës shtesë. Me këto ndryshime, çdo pacient që paguan rregullisht sigurimin në Fondin për Sigurim Shëndetësor, do të ketë mundësi që në pajtim me çmimoren që përcakton vet klinika ose spitali, të zgjedhë vetë ekipin që do ta kurojë atë- deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Për shoqatat e mjekëve dhe specializantët e rinj, këto ndryshime janë të mirëpritura, por sipas tyre, nuk përmirësojnë standardin e duhur të këtij kuadri.
Jemi të kënaqur por nuk ndalemi këtu dhe vazhdojmë edhe më tej të luftojmë për të drejtat tona. Ajo është që në të ardhmen të zgjedhim problemin me bashkë-financimin e specializantëve, pastaj të sigurohen kontribute për specializantët privatë si dhe të kemi kujdestari të paguar, që për momentin nuk është ashtu- tha Biljana Dodeva, specializante.
Për momentin, specializantët privatë nuk iu paguhen kontributet shëndetësore dhe madje, bëjnë kujdestari pa pagesë. Gjithashtu, kujdestaritë nuk iu janë paguar edhe një pjese të madhe të specializantëve shtetërorë. Për herë të parë, me ndryshimet ligjore, specializantëve iu hapet mundësia të veprojnë edhe në klinika jashtë Shkupit, në ndihmë të pacientëve në rajonet përreth.
Melihate Rustemi


