22 Janar
Kuvendi akoma është duke shqyrtuar arsyetimin e presidentit Gjorge Ivanov për mos dekretimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve. Siç mëson Alsat M, leximi i tretë i ligjit për gjuhët në rend dite do të vendoset kur shumica nuk do të ketë krizë kuorumi. Në koordinimin e sotëm me kreun e Kuvendit, nuk është caktuar për ndonjë datë konkrete, por siç mëson Alsat, seanca për leximin e tretë mund të vendoset mes datave 29 janar dhe 2 shkurt. Partitë e shumicës parlamentare nuk planifikojnë të propozojnë amendamente ndaj arsyetimeve të Ivanovit, pasi sipas tyre ky veprim do të zvarriste procedurën për miratimin e ligjit. VMRO DPMNE-ja insiston se ligji është antikushtetues, duke propozuar formimin e grupeve të punës lidhur me nevojën e miratimit të ligjit për gjuhët.
VMRO DPMNE-ja kërkon nga Qeveria të tërheqë këtë ligj anti-kushtetues të dëmshëm për qytetarët dhe shtetin. Kërkojmë që të formohen grupe pune të përbëra nga përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare, me përfshirjen edhe të ekspertëve nga fakultetet juridike në shtet, përfaqësues nga kabineti i presidentit si dhe përfaqësues të Akademisë së Shkencave. Të njëjtit duhet të punojnë për vërtetimin e nevojës së miratimit të një ligji të tillë dhe mënjanimit të elementeve antikushtetuese në ligjin për gjuhët. Çdo avancim i të drejtave të bashkësive, duhet të bëhet në kornizat e Kushtetutës së Maqedonisë dhe në proces të konsultimit me subjekte relevante dhe ekspertë – deklaroi Igor Janushev, Sekretar i Përgjithshëm i VMRO DPMNE-së.
Në reagimin e Qeverisë ndaj kërkesës së VMRO DPMNE-së thuhet se ligji për gjuhët është në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë, i votuar në procedurë demokratike e parlamentare dhe është në interes të të gjithë qytetarëve si dhe në kornizat e konceptit një shoqëri e barabartë për të gjithë.
Qeveria e Maqedonisë
“VMRO DPMNE-ja kishte mundësinë të merrte pjesë në procesin e miratimit të këtij ligji në Kuvendin e Maqedonisë, por refuzoi një gjë të tillë duke demonstruar papërgjegjësi politike. Duke pasur parasysh se presidenti Ivanov nuk e dekretoi ligjin për gjuhët, i njëjti përsëri do të kthehet në procedurë parlamentare, VMRO DPMNE-ja do të ketë mundësi në mënyrë aktive të intervenojë nëpërmjet amendamenteve”
Ekspertët nga ana tjetër kritikojnë vendimin e Ivanov për mos-dekretimin e ligjit. Sipas juristit, Jeton Shasivari, me këtë vendim Ivanov ka privatizuar institucionet duke shkelur kompetencat e tyre, në këtë rast të Gjykatës Kushtetuese.
Kryetari Ivanov ka përvetësuar autorizimet dhe funksionet e Gjykatës Kushtetuese sepse në të gjithë arsyetimin me shkrim flet për mos-pajtueshmërinë e dispozitave të këtij ligji në pajtueshmëri me Kushtetutën, që është funksion ekskluziv i Gjykatës Kushtetuese. Askund në këto arsyetime me shkrim, kryetari Ivanov nuk sjell argumente dhe shkaqe të bazuara se përse ky ligj është i dëmshëm për interesat legjitime të shtetit ose i dëmshëm për një ose më tepër komunitete etnike. Në fakt, këtu nuk bëhet fjalë për zbrazëtirë kushtetuese. Nëse shumica parlamentare e miraton ligjin me shumicën votave, atëherë Kushtetua e detyron kryetarin që të nënshkruaj dekretin për shpalljen e ligjit -tha Jeton Shasivari, Ekspert juridik.
Më 17 janar Presidenti Ivanov njoftoi se nuk do të dekretojë ligjin për përdorimin e gjuhëve, pasi sipas tij nen i ligjit bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe cenon karakterin unitar të shtetit. Tani ligji duhet t’i nënshtrohet leximit të tretë. Brenda 30 ditëve, në bazë të vlerësimeve të kryetarit të Kuvendit, thirret seancë parlamentare ku edhe vendoset propozimi për votimit. Referuar rregullores së Kuvendit, leximi i tretë duhet të vendoset në seancën e parë që mban Kuvendi. Pas miratimit, Qeveria do fillojë procedurën për adresimin e ligjit në Komisionin e Venecias. Në procedurën e deritanishme parlamentare propozimi nuk ka pasur asnjë ndryshim. Ligji për përdorimin e gjuhëve u votua më 11 janar me 69 vota pro, asnjë kundër, asnjë i përmbajtur dhe në mungesë të partisë më të madhe opozitare. Në votimin me badenter, i përmbajtur votoi vetëm një deputet.
Adrian Kerimi

