24 Janar
VMRO-DPMNE-ja do të kthehet në Kuvend, në prag të leximit të tretë të propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve, për të parashtruar amendamente. Nga kjo parti thonë se ky është një tentim tjetër për të bindur shumicën për rrezikun që do sjellë zbatimi i këtij ligji në praktikë.
VMRO-DPMNE-ja dhe grupi jonë parlamentar do të bëjnë gjithçka që është në fuqinë tonë për t’u penguar kjo politikë destruktive. Grupi parlamentar do të kthehet në ulëset e Kuvendit dhe me amendamente do të përpiqet ta parandalojë miratimin e këtij ligji jo-kushtetues. Deputetët tanë do të kthehen vetëm për ligjin për përdorimin e gjuhëve – deklaroi nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Mitko Jançev.
VMRO-ja kërkon që të formohet grupe pune, me përfaqësues të partive parlamentare, ekspertë përfaqësues nga kabineti i Presidentit dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave, për të iniciuar ndryshime të ligjit.
Amendamentet e reja për këtë ligj pas mos-dekretimit të tij nga ana e Presidentit Ivanov, pritet të dorëzohen deri te premten. Në kohën kur propozim-ligji u fut për lexim të dytë në Kuvend, VMRO-DPMNE-ja kishte dorëzuar 85 amendamente, 1 prej të cilave ishte e ish kreut të Kuvendit Trajko Veljanovski. Gjatë shqyrtimit, asnjëri prej tyre nuk ishte pranuar kurse kjo parti veçmë kishte lëshuar Kuvendit, si pasojë e bojkotit, për shkak të arrestimit të disa deputetëve të saj, të dyshuar për ngjarjet e 27 prillit.
Fatlume Dervishi

