Ligji për avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, akoma mendohet!
Mosmbyllja e çështjes për përdorimin e gjuhës shqipe është burim i vazhdueshëm i tensioneve në vend. Mendohet se partitë shqiptare në pushtet, por edhe akterët politik me kombësi shqiptare, në LSDM do të gjejnë mirëkuptim edhe te komuniteti maqedon se kjo çështje duhet të zgjidhet. Janë ngritur zëra se shqiptarët kërkojnë edhe nga opozita dhe VMRO-DPMNE-ja ta mbështesin, këtë nismë. Por nëse miratohet Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, kjo do të shihet në 100 ditëshin e formimit të qeverisë së re. Marrëveshja e Ohrit dhe integrimet janë çështje jopartiake dhe këtu mbetet të shihet nëse arrihet konsesusi nacional dhe etnik, jopartiak. Kriza në Maqedoni ka treguar se sa shumë vendi ka ngecur aq më shumë krijohen probleme të brendshme.
Si njëndër prioritetet e shqiptarëve është miratimi i ligjit për përdorim të gjuhës shqipe, mirëpo LSDM ka njoftuar edhe zyrtarisht se në pakon e 30 ligjeve prioritare që do të votohen në Kuvend, nuk do të jetë ligji për avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
“Aktualisht nuk është planifikuar afat konkret që përcakton se kur ligji për përdorimin e gjuhëve do të hyjë në procedure parlamentare.
Qeveria është duke përgatitur 30 ligje paketë që përfshijnë çështje të tjera që janë të lidhura direkt me përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe kjo pike nuk është në mesin e tyre”– thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Nga Lëvizja Besa thonë se çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe edhe më tej trajtohet si çështje e papërfillshme, e cila vjen si rezultat i mos zgjidhjes së statusit juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni
“Kjo është një dëshmi e madhe se qasja ndaj shqiptarëve mbetet e njëjtë, si ofenduese, irrituese dhe injoruese edhe nga partia “reformuese maqedonase” LSDM, ndërsa nga ana tjetër BDI vazhdon të dëshmohet si impotente dhe e painteresuar për çështjet shqiptare. Prandaj, me qëllim të zgjidhjes së këtij problemi, Lëvizja BESA në platformën e saj RIDEFINIMI ka ofruar zgjidhjen e përdorimit dhe zyrtarizimit të gjuhës shqipe, duke thënë që gjuha shqipe duhet të përmendet në mënyrë koncize si gjuhë e dytë zyrtare në R e Maqedonisë, dhe jo si “gjuha që flitet nga më shumë se 20% e popullatës në një vendbanim të caktuar”, thotë Shef i kabinetit të kryetarit të Lëvizjes BESA – Faton Fazliu, për Almakos
Nga ana tjetër analisti Sefer Tahiri thotë se kjo çështje nuk është e drejtë, nuk e pasqyron realitetin faktik, etnik, historik dhe kulturor, nuk i përmbush nevojat e shoqërisë në këtë shtet dhe nuk është në frymën e vlerave fundamentale të demokracisë dhe parimet universale të së drejtës ndërkombëtare.
“Konsideroj se përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe duhet të jetë një nga ligjet prioritare, të cilat duhet të miratohen në kuvend. Ne nuk duhet të bëjmë taktizime politike, nga cila do qoftë palë, për përfitime politike. Konsideroj se ky ligj është shumë i rëndësishëm për marrëdhënie ndëretnike dhe vlerësoj që prioritetet e qeverisë, pavarësisht që pritjet janë të mëdha, ndoshta edhe mundësitë e qeverisë nuk janë dhe aq. Duhet të fokusohen në tre fusha kryesore: në fushën e drejtësisë, ekonomisë dhe në fushën e realizimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve, ku bën pjesë edhe ligji i gjuhëve. Besoj që partitë politike shqiptare që janë në pushtet BDI dhe Aleanca për shqiptarët, duhet të bëjnë përpjekje dhe ky ligj të jetë në procedurë parlamentare sa më shpejtë të jetë e mundur. Ndoshta në 100 ditëshin e parë, sepse vetëm në atë mënyrë shumica e re parlamentare do të mund të punojnë për krijimin e një shoqërie të një shteti të përbashkët, të cilët shqiptarët, do të realizojnë lirshëm të drejtat dhe kërkesat e tyre legjtime. Unë konsideroj që gjuha dhe zyrtarisimi i gjuhës shqipe është një pikënisje drejt ndryshimit të shqiptarëve në kontekstin juridik kushtetues dhe në drejtim të avancimit të statusit të tyre, sepse pa zgjidhjen e kësaj çështje nuk mund të pretendohet që të ketë ndonjë ndryshim esencial të statusit të tyre”, tha Sefer Tahiri, për Almakos
Ish zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, për mediat në vend ka deklaruar se pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare me LSDM-në për draft versionin e ligjit, pati deklaruar se ligji do të etiketohet me yll ose do të votohet para formimit të Qeverisë, si garanci për miratimin e tij.
Ndërsa reagon ashpër Arsim Sinani, për këtë gjendje të krijuar, mbi statusin e përdorimit të gjuhës shqipe.
“Mendoj se është një lajthitje e Social Demokratëve dhe kam një pyetje publike, për dy deputetët e LSDM-së, z.Muhamed Zeqiri dhe Gjylimsere Kasapi: A pajtohen ata, që gjuha shqipe nuk është vendos? Dhe, kam edhe një pyetje, për partitë politike shqiptare, konkretisht për z.Ahmeti, e z.Sela, a kanë lëvizë nga ajo që gjuha shqipe të zyrtarizohet apo jo? Lojërat e tilla të cilat i bën LSDM-ja, aktualisht në gjuhën shqipe janë të papranueshme, kryeministri Zaev duhet të jetë më serioz dhe duhet t’ia përkujtoj me këtë rast, që ish pakënaqësia jo vetëm e qytetetarëve maqedonas, por edhe pakënaqësia e përgjithshme e shqiptarëve të Maqedonisë që ai të bëhet kryeministër dhe dua ta përkujtoj që gjuha shqipe të zyrtarizohet, për shkak se ai do të duhet të jepte një sinjal për ndryshime dhe vetëm në këtë mënyrë të jep shenjë se Maqedonia është shtet, ku shqiptarët dhe maqedonasit janë të barabartë. Përndryshe, mendoj, se nëse vazhdohet me reforma pa shqiptarët, kjo qeveri nuk do ta ketë jetën e gjatë”, thotë Arsim Sinani, për Almakos
D.Kërluku
Almakos.com

