Ligji për amnisti ende është në errësirë. Një ditë më parë kryeministri Zoran Zaev, pasi u turpërua nga kushtet në burgun Idrizovë, si një nga masat për uljen e mbipopullimit e paralajmëroi amnistinë, madje përmendi edhe qëndrimin personal për amnisti të përgjithshme. Nga ana tjetër sot nga qeveria dolën me një qëndrim paksa më ndryshe.
“Në këtë fazë kanë filluar konsultime me ekspertë dhe hapet debat publik… amnistia kur të ndodhë nuk do t’i përfshijë personat që kanë kryer vrasje të rënda mizore, vepra kundër njerëzimit dhe autorët e krimeve seksuale ndaj personave të mitur”, thanë nga Qeveria e RM-së.
Aktivistja civile Meri Nikollova e cila me vite të tëra angazhohet për amnisti dhe është përfaqësuese e 2500 të burgosurve, shprehet se deri më tani askush nga qeveria nuk e ka kontaktuar, ndonëse ajo ka Propozim-ligj të gatshëm për amnisti të dorëzuar në kuvend, përpilimin e të cilit e kanë paguar familjarët e të burgosurve. Ajo përshëndet angazhimin e kryeministrit, por njëherësh e porosit se të gjithë të burgosurit shpresojnë në mëshirën politike edhe atë në afatin më të shpejtë para zgjedhjeve lokale. Këtu përjashtohen pedofilët dhe abuzuesit e grave.
Për propozim Ligjin për amnisti nuk duhen më shumë se dy-tre ditë. Me procedurë të shpejtë, nëse diçka është e ndjeshme në këtë shtet, dhe nëse Idrizova duhet të jetë pasqyrë dhe shembull për shtetin, kjo duhet të zgjidhet për një javë, të kemi amnisti urgjente të përgjithshme për të gjithë. Nëse duhet për veprat më të lehta penale, le të fillohet me 30 deri në 50 përqind nga amnistia, por të përfshihen të gjithë, me çka ne nuk japin mesazh që burgjet duhet të zbrazen, por të ulen dënimet – u shpreh Meri Nikollova, Aktiviste.
Nikollova porosit pushtetin t’i ketë parasysh edhe të dënuarit që gjenden në arrati dhe të sëmurit psikikë, si dhe të ketë rrethana lehtësuese për të paraburgosurit në Shutkë, ku kushtet janë shumë më katastrofale. Për Ligjin për amnisti ka debatuar edhe Këshilli për reforma në gjyqësor, i cili ka shprehur nevojën për këtë ligj, por detajet, thonë se i takojnë pushtetit. Sot edhe nga Ministria e Drejtësisë për ALSAT -M thanë se pasi të definohen detajet për Ligjin, opinioni do të njoftohen në kohë.
Alsat-M

