Liderët dhe politikanët e Maqedonisë kanë shprehur ngushëllime për viktimat dhe të lënduarit nga tërmeti 6.4 ballësh që goditi sot Shqipërinë.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka përcjellë dhimbjen e tij dhe ngushëllimet për tërmetin që sot në mëngjes goditi Shqipërinë.
“Lajm i trishtë që në orët e hershme të mëngjesit për tërmetet e rënda që goditën Shqipërinë dhe u ndjenë gjithandej duke shkaktuar viktima, të lënduar dhe dëme të mëdha. Me mendje, zemër, shpirt e lutje jam me vëllezërit dhe motrat në Shqipëri, ndërsa dalja jonë në krah me të gjitha mundësitë tona nuk do të mungojë, jemi me ju! Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe shpresën për shërim sa më shpejtë të të lënduarve.”, ka nënvizuar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
Kryetari i Kuvendit, Talata Xhaferi gjithashtu shprehur ngushëllime të sinqerta për viktimat e tërmetit në Shqipëri.
“Jam i prekur thellë dhe shpreh ngushëllime të sinqerta për viktimat e kësaj fatkeqësie, dhe ndaj familjarëve të afërm të tyre. Në të njëjtën kohë, me mendime, shpresë dhe dëshirë që numri i viktimave mos rritet, të lënduarit të jenë me pasoja sa më të vogla shëndetësore dhe shërim të shpejtë”, shkruan Xhaferi.
Ndërsa kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, pas tërmetit në Shqipëri shkruan se jemi pran motrave dhe vëllezërve tanë.
“U zgjuam me gjëmën e fatkeqësisë, që nuk e prisnim. Jetojmë ditën me shpresën që pasojat të jenë sa më minimale. Jemi pranë jush motra dhe vëllezër. Bashkëvuajmë me ju humbjet në jetë njerëzish. E tek ngushëllojmë njeri tjetrin, do e gjejmë forcën për të vazhduar më tej, për të ndërtuar shpresën, jetën, Shqipërinë, shkruan Sela.
Edhe kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave të tërmetit
“Ngushëllime për ata që humbën familjarët e tyre dhe lutje për ata që mbetën pa kulm mbi kokë.
Zemrat dhe lutjet tona janë me motrat dhe vëllezërit tanë në Shqipëri”, shkruan Gashi.



