Liderët e shteteve të pjesës perëndimore të Afrikës janë zotuar se do t’i dhurojnë gjithsej një miliard dollarë për ta luftuar kërcënimin që po vjen nga grupet e armatosura në këtë rajon.
Grupet e lidhura me Al Qaeda-n dhe të ashtuquajturin Shtet Islamik i kanë forcuar pozicionet e tyre në rajonin e thatë të Sahelit këtë vit, duke i bërë shumë territore të paqeverisshme dhe duke nxitur dhunë etnike, sidomos në Mali dhe Burkina Faso.
Pesëmbëdhjetë anëtarët e Bllokut të Afrikës Perëndimore dhe presidentët e Mauritanisë dhe Çadit u mblodhën në një samit të jashtëzakonshëm në kryeqytetin e Burkina Fasos, Ougadougou, për të diskutuar në lidhje me rritjen e pasigurisë.
Presidenti i komisionit Ecowas, Jean-Claude Kassi Brou, tha se ky komision ka vendosur të kontribuojë në mënyrë financiare dhe në mënyrë urgjente të bashkohet në përpjekjet për luftën kundër terrorizmit, duke u zotuar për dhurimin e një miliard dollarëve.
Gjatë një fjalimi që e mbajti pas takimit të mbyllur për medie, Brou gjithashtu u bëri thirrje të Kombeve të Bashkuara që ta forcojnë misionin e tyre paqeruajtës në këtë rajon, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.




